Gjenerali Akar inspekton procesin e dislokimit të ushtrisë turke në Idlib të Sirisë

Gjeneralarmate Hulusi Akar inspektoi të premten vonë postat kufitare në qytezën Reyhanli të Hatayit, ndërkohë që vazhdon dislokimi i ushtrisë turke për formimin e pikave të vrojtimit në Zonën e Çtensionimit në Idlib të Sirisë...

Gjenerali Akar inspekton procesin e dislokimit të ushtrisë turke në Idlib të Sirisë
tsk'nın idlib'e askeri sevkiyatı.jpg
genel kurmay baskani hulusi akar-efes 2016.jpg

Vazhdon dislokimi ushtarak i Forcave të Armatosura të Turqisë për formimin e pikave të vrojtimit në Zonën e Çtensionimit në Idlib të Sirisë.

Një autokolonë me mjete të ushtrisë turke u nis mbrëmjen e së premtes nga qyteza Reyhanli e provincës jugore Hatay dhe hyri në territorin sirian duke mbërritur pa problem në Zonën e Çtensionimit të periferisë rurale të Halepit. 

Pritet që dislokimi ushtarak turk, i cili filloi ditë më parë, të vazhdojë me intervale të ndryshme.

Në fazën e parë, njësitë e ushtrisë turke po vendosen në afërsi të Afrinit, i cili ndodhet në kufirin turko-sirian dhe është nën pushtimin e organizatës terroriste PKK/PYD.

Dislokimi i forcave turke, që po realizohet në kuadër të marrëveshjes së arritur në Astanë të Kazakistanit me Rusinë dhe Iranin, dy shtetet e tjera garantuese të armëpushimit në Siri, do të vazhdojë në linjën kufitare Idlib-Afrin.

Gjatë periudhës në vijim, pozicionimi i trupave turke do të realizohet gradualisht nga veriu në drejtim të jugut, ndërsa pritet që ato të formojnë të paktën 10 pika vrojtimi.

Njësitë e ushtrisë turke janë pjesë e Forcës së Kontrollit për Çtensionim, e cila formohet nga reparte të ndryshme të forcave të armatosura të shteteve garantuese.

Sipas akordit të arritur në Astanë, Turqia do të formojë pika vrojtimi në zonat e brendshme të Idlibit, ndërsa forcat ruse jashtë qytetit.

Misioni i Forcave të Armatosura të Turqisë në Idlib synon ngritjen e pikave të vrojtimit për monitorimin e armëpushimit në Zonën e Çtensionimit dhe realizohet në koordinim me Ushtrinë e Lirë Siriane (FSA).

Nga ana tjetër, Gjeneralarmate Hulusi Akar, shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë turke, inspektoi të premten vonë postat kufitare në qytezën Reyhanli të Hatayit.

I shoqëruar nga disa komandantë të lartë, Hulusi Akar shkoi në qytezën Reyhanli, nga ku po realizohet transferimi i njësive ushtarake turke për në Zonën e Çtensionimit në Idlib.

Ai u informua nga Gjenerallejtënant Ismail Metin Temel, komandant i Armatës së 2-të, mbi procesin e dislokimit të trupave turke në Siri dhe zhvillimet në rajon.

Më parë, Gjenerali Akar dhe delegacioni shoqërues kaloi në Pikën Kufitare Cilvegozu, ku inspektoi ushtarët me mision në zonën tampon.



Lajme të ngjashme