Çavusoglu-Tillerson, bisedë telefonike për pezullimin e ndërsjellë të vizave Turqi-SHBA

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, realizoi të mërkurën vonë një bisedë telefonike me sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson...

Çavusoglu-Tillerson, bisedë telefonike për pezullimin e ndërsjellë të vizave Turqi-SHBA

Siç bëjnë të ditur burimet diplomatike, dy homologët morën në shqyrtim çështjen e pezullimit të ndërsjellë të procedurave të vizave ndërmjet Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në kuadër të hetimeve lidhur me organizatën e armatosur terroriste FETO, Metin Topuz, një punonjës i Konsullatës së Përgjithshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Stamboll, ishte arrestuar pak ditë më parë me urdhër të Zyrës Hetimore për Terrorizmin dhe Krimet e Organizuara në Prokurorinë e Stambollit, me akuzat për “tentativë për eliminimin e rendit kushtetues”, “spiunazh” dhe “tentativë për eliminimin e Qeverisë së Republikës së Turqisë”, pasi ishin konstatuar lidhje dhe kontakte të tij me disa ish-oficerë policie dhe ish-autoritete gjyqësore nën gjykim.

Departamenti amerikan i Shtetit kishte reaguar menjëherë pas këtij vendimi duke pretenduar se Metin Topuz ishte “staf vendor” i Konsullatës së Përgjithshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Stamboll. Ndërsa Ministria turke e Punëve të Jashtme ishte përgjigjur me këto fjalë: “Personi në fjalë, që më datë 25 shtator 2017 është ndaluar dhe më pas arrestuar për veprat penale të lidhura me terrorizmin, jo vetëm që nuk është staf i regjistruar në listën zyrtare të Konsullatës së Përgjithshme amerikane, por nuk gëzon as ndonjë imunitet diplomatik apo konsullor.”

Pas këtyre zhvillimeve, SHBA-ja njoftoi pezullimin e shërbimeve të vizave jomigratore në të gjitha misionet e saj diplomatike në Turqi. Vetëm 3 orë më vonë, këtë herë ishte Ambasada e Turqisë në Uashington që njoftoi pezullimin e shërbimeve të vizave për qytetarët amerikanë në të gjitha misionet turke në SHBA.



Lajme të ngjashme