Turqia paralajmëron Barzanin: Lëvizja e referendumit për pavarësi do të ketë një kosto

Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë paralajmëroi të enjten administratën rajonale kurde të Irakut se këmbëngulja për mbajtjen e referendumit do të ketë një kosto...

Turqia paralajmëron Barzanin: Lëvizja e referendumit për pavarësi do të ketë një kosto

Turqia përshëndeti të enjten votimin e parlamentit irakian për të hedhur poshtë referendumin e pavarësisë së administratës rajonale kurde të Irakut (KRG) dhe paralajmëroi kreun e kësaj të fundit, Massoud Barzani, se këmbëngulja për mbajtjen e referendumit do të ketë një kosto.

“KRG-ja duhet të ketë parasysh që me siguri do të ketë një kosto për të paguar lidhur me këmbënguljen në qasjen e saj për një referendum pavarësisht të gjitha rekomandimeve tona miqësore”, tha në një deklaratë Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë duke përshkruar “deklaratat gjithnjë e më emocionale” të KRG-së në favor të pavarësisë si “alarmante”.

MPJ turke i bëri thirrje administratës rajonale kurde të Irakut gjithashtu “për të vepruar me gjykim të shëndoshë dhe për të braktisur menjëherë këtë qasje të gabuar”.

Parlamenti i Irakut votoi të martën për të hedhur poshtë referendumin jodetyrues, i cili planifikohet të mbahet më 25 shtator, duke autorizuar shefin e Bagdadit zyrtar që të marrë të gjitha masat për të ruajtur unitetin e vendit.

Ekzekutivi irakian i drejtuar nga Kryeministri Haider al-Abadi kishte refuzuar më parë referendumin si të njëanshëm dhe antikushtetues.

Që kur njoftoi planin e saj për mbajtjen e referendumit, KRG-ja ka fituar shumë pak mbështetje nga komuniteti ndërkombëtar dhe në vend të kësaj është përballur me një mori kritikash të ashpra.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera perëndimore frikësohen se referendumi kurd i 25 shtatorit mund të ndezë një konflikt të ri me Bagdadin dhe ndoshta me vendet fqinje gjithashtu duke zhvendosur vëmendjen nga lufta kundër organizatës terroriste DAESH në Irak dhe Siri.



Lajme të ngjashme