Erdogan në Kazakistan: Rezultati i Astanës do të përcaktojë suksesin e procesit të Gjenevës

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, filloi mëngjesin e së shtunës kontaktet e tij zyrtare në Kazakistan, ku po qëndron për të marrë pjesë në Samitin e Organizatës së Bashkëpunimit Islam...

Erdogan në Kazakistan: Rezultati i Astanës do të përcaktojë suksesin e procesit të Gjenevës

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, filloi mëngjesin e së shtunës kontaktet e tij zyrtare në Kazakistan, ku po qëndron për të marrë pjesë në Samitin e Organizatës së Bashkëpunimit Islam.

Kreu i shtetit turk u prit me ceremoni zyrtare në Pallatin Presidencial “Akorda” të Astanës.

Pas ceremonisë së pritjes, Presidenti Erdogan dhe homologu i tij kazak, Nursultan Nazarbayev, realizuan një takim kokë më kokë.

Në një prononcim përpara takimit të sipërcituar, Erdogan tërhoqi vëmendjen mbi përpjekjet e tyre madhore për t’i fuqizuar çdo ditë e më tepër marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Kurse pas takimit kokë më kokë, duke folur në një konferencë shtypi me presidentin kazak, lideri turk tha se ka përfunduar puna përgatitore për samitin e ardhshëm të Astanës, i cili do të mbahet më 14 shtator, duke u shprehur plot shpresë që hapat e ndërmarra për vendosjen e paqes në Siri do të përfundojnë serish në Astanë.

“Rezultati i Astanës do të përcaktojë suksesin e procesit të Gjenevës”, shtoi ai.

Erdogan gjithashtu vuri në dukje se Turqia dhe Kazakistani duhet të punojnë së bashku për të rritur dhe forcuar më tej lidhjet e tregtisë dypalëshe ndërmjet dy vendeve.

“Qëllimi ynë është të rritim vëllimin e tregtisë në 5 miliardë dollarë (nga 2 miliardë dollarë) sa më shpejt që të jetë e mundur, siç e kemi njoftuar edhe më parë”, theksoi Erdogan duke shtuar se të dyja vendet kanë potencialin e nevojshëm për të arritur këtë qëllim.

Lideri mikpritës, Nursultan Nazarbayev, deklaroi nga ana e tij se bota po kalon ditë të vështira dhe, duke qenë kështu, Turqia dhe Kazakistani po realizojnë takime të shpeshta dhe po bashkëpunojnë në shumë çështje, përfshi këtu problemet rajonale dhe projekte të tjera.

Ai rikujtoi se bisedimet për Sirinë, të cilat filluan me propozim të Presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe Kryetarit të Federatës Ruse, Vladimir Putin, vijojnë në kryeqytetin kazak dhe se takimi i radhës do të mbahet më 14 shtator.

Ndërkaq, Samiti i Organizatës së Bashkëpunimit Islam do të fillojë punimet të dielën, më datë 10 shtator, me pjesëmarrjen e rreth 70 delegacioneve nga 57 shtete të botës.

Gjatë kësaj vizite, Presidenti Erdogan shoqërohet nga zëdhënësi dhe nënsekretari i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë, ambasadori Ibrahim Kalin, zëvendëskryeministri Hakan Çavusoglu, ministri i Ekonomisë, Nihat Zeybekci, ministri i Shkencës, Industrisë dhe Teknologjisë, Faruk Ozlu, ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, si dhe ministrja e Familjes dhe Politikave Sociale, Fatma Betul Sayan Kaya.



Lajme të ngjashme