Erdogan në Kazakistan: Luftojmë kundër FETO-s edhe për sigurinë e miqve tanë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, përcolli nga Kazakistani një mesazh vendosmërie në luftën kundër terrorizmit, me në krye organizatën terroriste gyleniste (FETO)...

Erdogan në Kazakistan: Luftojmë kundër FETO-s edhe për sigurinë e miqve tanë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, përcolli nga Kazakistani një mesazh vendosmërie në luftën kundër terrorizmit, me në krye organizatën terroriste gyleniste (FETO).

Në konferencë shtypi me homologun kazak, Nursultan Nazarbayev, pas takimeve kokë më kokë dhe ndërmjet delegacioneve, Presidenti Erdogan deklaroi se Turqia nuk e bën luftën kundër FETO-s vetëm për veten e saj, por njëherësh edhe për sigurinë e miqve.

“Ne luftojmë kundër FETO-s edhe për sigurinë e miqve dhe vëllezërve tanë. Duke bashkëpunuar, shpresojmë që do ta eliminojmë këtë çetë, e cila përbën kërcënim për sigurinë e të dyja vendeve tona. Gjatë periudhës në vijim, ne do të forcojmë edhe më shumë bashkëpunimin tonë në luftën kundër organizatave terroriste si DEASH, FETO dhe Al Kaeda”, theksoi ai.

Pasi shpjegoi se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Kazakistanit kanë arritur nivelin e partnerit strategjik në vitin 2009 dhe se kanë ngritur një mekanizëm institucional me themelimin e Këshillit për Bashkëpunim Strategjik të Nivelit të Lartë në vitin 2012, Erdogan rikujtoi se takimi i parë është zhvilluar në vitin 2012 në Turqi dhe i dyti në Kazakistan në vitin 2015.

Më tej, kreu i shtetit turk tërhoqi vëmendjen se vendi i tij ka kapërcyer një situatë të rrezikshme më 15 korrik 2016.

“Tentativa tradhtare për grusht shteti e organizatës terroriste FETO synoi prishjen e rendit demokratik kushtetues të vendit tonë dhe u pengua falë qëndresës së popullit tonë, që e mbrojti atë duke sakrifikuar jetën. Gjatë kësaj (tentative) kemi dhënë 250 dëshmorë dhe 2.193 veteranë nga qytetarët tanë. Lufta jonë kundër kësaj strukture të errët, e cila nuk heziton të derdhë gjak për interesat e saj, vijon me vendosmëri”, nënvizoi Erdogan.

Presidenti i Turqisë u shpreh më pas se Kazakistani ka arritur një sërë suksesesh ndërkombëtare.

“Kazakistani është vendi i parë i Azisë Qendrore, i cili është zgjedhur anëtar i përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndërsa në Astanë po mbahen aktualisht bisedimet e paqes për Sirinë. Të gjitha këto zhvillime tregojnë rëndësinë rajonale dhe globale në rritje të Kazakistanit. Këto arritje të Kazakistanit na gëzojnë pa masë”, potencoi ai.

Ndërkaq, burime nga presidenca turke bëjnë të ditur se para konferencës për shtyp, në praninë e dy liderëve, janë nënshkruar disa protokolle dhe memorandume mirëkuptimi ndërmjet Turqisë dhe Kazakistanit.



Lajme të ngjashme