Simsek: Inflacioni në Turqi do të zbresë sërish nën 10 për qind deri në fund të vitit

Zëvendëskryeministri turk për Ekonominë, Mehmet Simsek, deklaroi mbrëmjen e së martës se është i mendimit që inflacioni do të zbresë nën nivelin 10 për qind deri në fund të vitit...

Simsek: Inflacioni në Turqi do të zbresë sërish nën 10 për qind deri në fund të vitit

Zëvendëskryeministri turk për Ekonominë, Mehmet Simsek, deklaroi mbrëmjen e së martës se është i mendimit që inflacioni do të zbresë nën nivelin 10 për qind deri në fund të vitit.

I ftuar special në emisionin “Anadolli Pyet” (Anadolu Soruyor), që transmetohet në ekranet televizive të kanalit informativ “TRT Haber”, Mehmet Simsek foli në detaje lidhur me rendin e ditës.

Ai tërhoqi vëmendjen se deri në vitin 2002, kur Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK) mori drejtimin e vendit, Turqia ka qenë përballë problemit kronik të inflacionit të lartë, ndërsa në vijim inflacioni është ulur në numra njëshifrorë me përpjekje të mëdha; por gjatë një viti të fundit, sidomos pas tentativës për grusht shteti, lëkundjet në kursin e këmbimit valutor dhe rritja e pjesshme e çmimeve të artikujve ushqimorë bënë që ai të rritet përkohësisht në shkallën dyshifrore.

“Jemi të mendimit që inflacioni do të zbresë sërish nën nivelin 10 për qind deri në fund të vitit, qoftë falë stabilitetit relativ që është siguruar kohëve të fundit në kursin e këmbimit valutor, qoftë në sajë të masave të rëndësishme që janë marrë në Komitetin e Ushqimit. Objektivi ynë është që ta mbyllim vitin sërish me inflacion njëshifror, kjo është e mundur”, u shpreh zv/kryeministri turk.

Komiteti i Ushqimit – theksoi Simsek – nga ana e tij po punon fuqishëm gjatë këtij viti për stabilizimin e çmimeve të artikujve ushqimorë dhe, fillimisht, bëri rregullime në tarifat doganore për disa produkte, në të cilat ka pasur një problem furnizimi afatshkurtër.

Duke shpjeguar se janë bërë hapa konkretë, që në terma kohore afatmesme dhe afatgjata do të rrisin furnizimin ushqimor dhe do të prodhojnë efekte pozitive për xhepin apo buxhetin e qytetarëve, zv/kryeministri turk për Ekonominë paralajmëroi gjithashtu një sërë masash në këtë kuadër për reduktimin e shkallës së firos, e cila arrin deri në 50 për qind kur bëhet fjalë për fruta-perimet e freskëta.

Kur u pyet rreth marrëdhënieve Turqi-Bashkimi Evropian, Mehmet Simsek u përgjigj duke thënë se po ndjekin me habi dhe është për të ardhur keq që Turqia po përdoret për konsum të brendshëm politik në Evropë.

“Turqia nuk është një aktore e re në Evropë. Jemi duke ndjekur me habi që po na përdorin neve si një pjesë e debateve politike të brendshme në këtë apo atë vend. Me lejen e Zotit, (marrëdhëniet) do të hyjnë në një shteg të mbarë kur të marrë fund atmosfera elektorale”, tha ai.

Sa u përket projekteve për qytetet turke me prani të konsiderueshme të refugjatëve sirianë, zv/kryeministri vuri në pah se ndikimi i mysafirëve sirianë nëpër qytetet e vendit është në përmasa serioze.

“Po bëjmë përpjekje intensive për minimizimin e këtij ndikimi dhe prioritet u kemi dhënë sidomos projekteve infrastrukturore për bashkitë në fjalë”, theksoi Simsek duke bërë me dije se me anë të programeve investuese po ndërmarrin masa të ndryshme edhe për shërbime esenciale si arsimi dhe shëndetësia.



Lajme të ngjashme