Shefi i buxhetit të BE: Anëtarët të shpenzojnë më shumë për marrëveshjen e emigrantëve BE-Turqi

Komisioneri Evropian për Buxhet dhe Burime Njerëzore, Gunther Oettinger, u ka bërë thirrje shteteve anëtare të BE-së që të rrisin kontributin e tyre financiar siç kërkohet nga marrëveshja e refugjatëve me Turqinë...

Shefi i buxhetit të BE: Anëtarët të shpenzojnë më shumë për marrëveshjen e emigrantëve BE-Turqi

Komisioneri Evropian për Buxhet dhe Burime Njerëzore, Gunther Oettinger, u ka bërë thirrje shteteve anëtare të BE-së që të rrisin kontributin e tyre financiar siç kërkohet nga marrëveshja e refugjatëve me Turqinë.

“Shtetet anëtare do të duhet të financojnë së paku 2 miliardë dollarë”, tha Oettinger në një intervistë për revistën gjermane “Der Speigel”.

Në këtë intervistë, e cila u publikua të shtunën me titullin “Më shumë para për Ankaranë”, Oettinger citohet të këtë thënë se vendet anëtare të Bashkimit Evropian duhet të mbështesin marrëveshjen me buxhetet e tyre kombëtare.

Ai thekson se 300 milionë euro janë veçuar nga buxheti 2018 i Komisionit Evropian për t’iu dhënë Turqisë, ndërsa kërkon që shtetet anëtare të BE-së të financojnë pjesën e mbetur prej 2,7 miliardë eurosh.

Kjo kërkesë, sipas lajmit të revistës gjermane, ka shkaktuar mosmarrëveshje ndërmjet koalicionit qeverisës në Berlin dhe anëtarëve të tjerë të Unionit. Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, po kërkon mënyra për të mos bërë këtë pagesë, ndërsa vetë Kancelarja Angela Merkel po rezulton opozitarja më e fuqishme e mendimit të Gabrielit për shkak të kundërshtimeve kryesisht nga Franca e Italia dhe, sidomos, pasi ka filluar të rritet sërish numri i refugjatëve që mbërrijnë në Greqi.

“Der Spiegel” tërheq vëmendjen se kundërshtarë të këtij qëndrimi të ministrit Gabriel janë gjithashtu shumë autoritete të Komisionit Evropian, madje edhe disa politikanë të Partisë Socialdemokrate (SPD), anëtar i së cilës është po ashtu vetë shefi i diplomacisë gjermane. Revista shkruan se Jens Geier, kryetar i grupit parlamentar të SPD-së në Parlamentin Evropian, ka vënë në pah që këto ndihma kontribuojnë edhe në fuqizimin e OJQ-ve në vend.

Lidere në përpjekjet humanitare për refugjatët sirianë dhe irakianë, Turqia ka shpenzuar më shumë se 25 miliardë dollarë për të kryer projektet që trajtojnë nevojat e tyre. Numri i refugjatëve tani tejkalon më shumë se 3 milionë në Turqi.

Turqia dhe BE-ja nënshkruan një marrëveshje të refugjatëve në mars të vitit 2016 për të dekurajuar emigracionin e parregullt në Egje me masa të rrepta kundër trafikantëve të qenieve njerëzore dhe për të përmirësuar gjendjen e gati 3 milionë refugjatëve në Turqi. Që atëherë, numri i refugjatëve që kalojnë ilegalisht Egjeun midis Turqisë dhe Greqisë ka rënë me 85 për qind, sipas Rojës Bregdetare turke.

Si një tjetër pjesë e marrëveshjes, BE-ja u angazhua se do të hapë dy kapituj në negociatat e pranimit të Turqisë në BE, do të sigurojë fonde për refugjatët dhe udhëtim pa viza për qytetarët turq në zonën Schengen. Ankaraja e kritikon Bashkimin Evropian se nuk po mban premtimet dhe nuk po liberalizon vizat për qytetarët turq.



Lajme të ngjashme