Ministri Çelik kritikon Kancelaren Merkel për Unionin Doganor: Deklaratë fatkeqe

Ministri turk për Çështjet e Bashkimit Evropian dhe negociatori kryesor i Ankarasë me Brukselin, Omer Çelik, deklaroi të enjten paradite se Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka bërë një deklaratë fatkeqe në lidhje me Unionin Doganor...

Ministri Çelik kritikon Kancelaren Merkel për Unionin Doganor: Deklaratë fatkeqe

Ministri turk për Çështjet e Bashkimit Evropian dhe negociatori kryesor i Ankarasë me Brukselin, Omer Çelik, deklaroi të enjten paradite se Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka bërë një deklaratë fatkeqe në lidhje me Unionin Doganor.

Omer Çelik pati një takim me ministrin e Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar për Evropën dhe Amerikën, Alan Duncan, që po qëndron në Ankara për një vizitë zyrtare.

Në konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit me mysafirin britanik, ministri Çelik kritikoi ashpër Kancelaren Merkel, që ka thënë se “Marrëveshja për Unionin Doganor me Turqinë nuk do të azhurnohet”.

“Kjo është një deklaratë fatkeqe. Vlen të nënvizohet se institucionet e BE-së, proceset e BE-së, nuk duhet të udhëzohen nga ndonjë vend evropian. Mënyra sesi i merr BE-ja vendimet e saj mbështetet mbi disa parime dhe procedurat janë të përcaktuara mirë. Të tilla situata janë tejet të rrezikshme. Pohime si këto cenojnë besueshmërinë e Bashkimit Evropian”, tha ai.

Shefi i negociatave Ankara-Bruksel u ndal gjithashtu mbi lajmet e ditëve të fundit, sipas të cilave i shumëkërkuari ende në arrati, Adil Oksuz, një nga emrat më të rëndësishëm të organizatës terroriste gyleniste/struktura paralele në shtet (FETO/PDY), është parë në Gjermani.

“Çështja mbi Adil Okzuz është shumë e qartë. Ne jemi një vend mik i Gjermanisë, jemi aleatë të saj. Marrëdhëniet tona kanë rrënjë historike të thella. Presim (nga Gjermania) një qëndrim në përputhje me thellësinë e këtyre rrënjëve historike dhe me kapacitetin e bashkëpunimit tonë të sotëm. Asnjë mik i yni nuk mund të strehojë një kriminel”, u shpreh ai.

Në Gjermani – vijoi ministri turk për Çështjet e Bashkimit Evropian – një zëdhënësi të qeverisë i është drejtuar pyetja nëse i shumëkërkuari Adil Oksuz po strehohej ose jo në territoret gjermane dhe ai ka thënë vetëm kaq: “Unë s’mund ta konfirmojë këtë gjë. Nuk mundem as ta përgënjeshtroj dhe as ta vërtetoj.”

“Këtë e dimë shumë mirë se çfarë do të thotë në diplomaci. Asnjë shtet demokratik dhe asnjë shtet ligjor s’duhet të strehojë një terrorist”, theksoi ndër të tjera Omer Çelik.



Lajme të ngjashme