Çavusoglu: Me Greqinë kemi një seri problemesh në Egje

Në përgjigje të një mocioni në parlament, ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushollu (Mevlut Çavuşoğlu) tha se ndërmjet Turqisë dhe Greqisë ka një sërë problemesh të ndërlidhur me njëri-tjetrin në Egje.

Çavusoglu: Me Greqinë kemi një seri problemesh në Egje

“Në mesin e këtyre problemeve bën pjesë ai mbi përkatësinë e disa ishujve të vegjël dhe shkëmbinjve në Egje dhe e ndërlidhur me këtë edhe mungesa e kufijve detarë të përcaktuar me një marrëveshje të vlefshme ndërkombëtare ndërmjet Turqisë dhe Greqisë”, u shpreh shefi i diplomacisë turke.

Dokumentet ndërkombëtare bazë për përkatësinë e Ishujve të Egjeut janë Traktatet e Paqes së Lozanës (1923) dhe të Parisit (1947). Këto marrëveshje përmbajnë dispozita të detajuara në lidhje me sovranitetin dhe çarmatimin e ishujve, shtoi ai.

“Në këtë aspekt problemi është një çështje juridike që ka të bëjë me interpretimin e pikave përkatëse të Traktateve të Lozanës dhe Parisit”, u shpreh Çavushollu dhe e vijoi kështu fjalën e tij në kuvend:

“Siç edhe dihet, çështjet e Egjeut trajtohen në të gjitha aspektet brenda kanaleve ekzistuese të dialogut që kemi me Greqinë. Vendi ynë dëshiron që të gjitha këto çështje të zgjidhen në kuadër të ligjit ndërkombëtar në përshtatje me drejtësinë dhe duke ruajtur të drejtat dhe interesat kryesore të vendit tonë”.

Opinionet në lidhje me të gjitha problemet mbi Detin Egje janë shprehur nga Ministria e Punëve të Jashtme me deklarata të ndryshme që janë bërë që nga viti 1996 e këtej, sqaroi Çavushollu.

“Në këtë suazë është bërë e ditur se nuk do të pranojmë situatat e mundshme de fakto që Greqia do të krijonte përmes formacioneve gjeografike me status të diskutueshëm dhe në rast se do të tentohet të bëhet një diçka e tillë, kjo nuk do të kishte ndonjë rezultat në aspektin juridik. Si shtesë e këtyre deklaratave mendimet tona në lidhje me çështjen në fjalë, autoriteteve greke u përcillen në çdo nivel. Gjithashtu qëndrimi ynë përcillet edhe me shkrim nga Ministria jonë përmes notave diplomatike, të cilat regjistrohen”, u shpreh Çavushollu.



Lajme të ngjashme