Çavusoglu: Turqia edhe zyrtarisht partnere e ASEAN-it për dialog sektorial

Ministri i Jashtë, Mevlut Çavusoglu rikujtoi se Turqia ka aplikuar pranë ASEAN-it për statusin e partnerit të dialogut sektorial në vitin 2015.

Çavusoglu: Turqia edhe zyrtarisht partnere e ASEAN-it për dialog sektorial

Ministri i Jashtëm, Mevlut Çavusoglu, bëri të ditur se “Turqia edhe zyrtarisht u bë partnere e ASEAN-it për dialog sektorial.

I ndodhur në kryeqytetin Manila të Filipineve për pjesëmarrje në mbledhjen e 50-të të Unionit të Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN), ministri Çavusoglu, pas pritjes së organizuar nga ana e ministrit të Jashtëm i Filipineve, Alan Peter Cayetano, bëri deklarata të rëndësishme për Radiotelevizionin e Turqisë (TRT) dhe Agjencinë e Lajmeve Anadolli (AA).

Ministri Çavusoglu rikujtoi se Turqia ka aplikuar pranë ASEAN-it për statusin e partnerit të dialogut sektorial në vitin 2015 dhe vijoi me këto fjalë: “Edhe harta rrugore edhe plani i veprimit u prit me kënaqësi nga ana e vendeve anëtare të ASEAN-it. Në të vërtet kishte edhe vende tjera të cilat kanë aplikuar për këtë status, ndërkaq këtë vit u pranua vetëm Turqia. Natyrisht se kjo është një iniciativë e përshtatshme me politikat e jashtme të gjithanshme, proaktive të Turqisë”.

 

Duke e bërë të ditur se me ambasadën turke që do të hapet në Laos, Turqia do të ketë përfaqësi në të gjitha vendet e rajonit të ASEAN-it, ministri Çavusoglu tha: “Marrëdhëniet tona politike dhe institucionale me vendet e këtij rajoni do të zhvillohen edhe më shumë. Gjithashtu ASEAN-i nuk është vetëm një organizatë politike, por është kthyer edhe në organizatë ekonomike. Vëllimi tregtar me vendet anëtare të ASEAN-it do të rritet shumë shpejtë. Gjithashtu për biznesmenët tanë do të lindin edhe raste të rëndësishme për të bërë biznes”.

Çavusoglu gjithashtu bëri të ditur se ndihmat humanitare dhe të zhvillimit, të cilat Turqia i dërgoi në mënyrë individuale nëpërmjet Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Departamentit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Gjendjeve Emergjente (AFAD) dhe Gjysmëhënës së Kuqe Turke, tani do të koordinohen nëpërmjet ASEAN-it.

Ndërkohë në deklaratën e bërë nga Ministria e Jashtme Turke u shpreh kënaqësia nga pranimi i Turqisë për partnere të dialogut sektorial.

Në deklaratën e bërë nga ministria thuhet se “Turqia mbështet përpjekjet e ASEAN-it që gjatë viteve në vijim të ketë të drejtën më gjithëpërfshirëse dhe të sigurt të fjalës në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare për prosperitet dhe mirëqenie të popujve të saj. Zhvillimi i mëtutjeshëm i marrëdhënieve të Turqisë me ASEAN-in është një hap i rëndësishëm për afrimin e dy skajeve të Azisë”.



Lajme të ngjashme