Turkish Airlines, asistencë për promovimin e Shqipërisë

Përfaqësues të lartë të kompanisë ajrore Turkish Airlines kanë mbërritur në Tiranë për të asistuar qeverinë shqiptare për hartimin e një plani për promovimin e Shqipërisë.

Turkish Airlines, asistencë për promovimin e Shqipërisë

Shoqëria ajrore Turkish Airlines regjistron rreth 200 destinacione biznesi, turizmi dhe shërbime transporti.

Përfaqësues të lartë Turkish Airlines janë takuar në Tiranë me përfaqësues të ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

“Ky takim u realizua në kuadër të hartimit të projekteve të përbashkëta dypalëshe si dhe realizimi e tureve familjarizuese me mediat më të njohura turke, organizimin e disa konferencave me vendet aziatike, si Singapori , Korea e Jugut etj, të cilat synohen nga vendi ynë dhe me të cilat Shqipëria nuk ka regjim vizash”, thanë burime nga MZHETTS.

Gjatë muajit gusht, shtuan burimet, do fillojnë edhe hapat e parë të këtij bashkëpunimi, ku pritet ardhja në Shqipëri e dy gazetarëve të njohur turq.

Po ashtu, sipas burimeve të mësipërme, në fund të shtatorit dhe në fillim të tetorit do mundësohet edhe realizimi i një konference me gazetarë, operatorë turistikë dhe përfaqësues të ministrisë së Zhvillimit Ekonomik Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes në një prej vendeve aziatike.

Me ndihmën e Turkish Airlines po punohet për hapjen e një linje ajrore shqiptare. Qeveria parashikon që këtë vit të nisin edhe fluturimet e para. Projekti i përbashkët me Turksih Airlines synon të rrisë cilësinë e fluturimeve dhe t’u japë mundësi shqiptarëve të fluturojnë me lirë dhe me linja direkte në vende të ndryshme të botës.



Lajme të ngjashme