“Bosch”: Investimet në Turqi nuk preken nga tensioni ndërmjet Ankarasë dhe Berlinit

Kolosi gjerman i industrisë bëri të premten një deklaratë të rëndësishme për Turqinë në sfondin e tensionit në rritje ndërmjet dy vendeve...

775143
“Bosch”: Investimet në Turqi nuk preken nga tensioni ndërmjet Ankarasë dhe Berlinit

Kolosi gjerman i industrisë bëri të premten një deklaratë të rëndësishme për Turqinë në sfondin e tensionit në rritje ndërmjet dy vendeve.

Pas deklaratave spekulative të ditës së enjten për ekonominë nga ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, kompania gjermane “Bosch” dha një përgjigje shumë domethënëse.

“Investimet tona në 2017-n do të vazhdojnë. Grupi ynë po investon këtë vit 650 milionë lira në Turqi dhe pjesa e luanit në këtë investim do të shkojë në Bursa”, deklaroi presidenti i Bosch-it për Turqinë dhe Lindjen e Mesme, Steven Young, pavarësisht tensionit politik të kohëve të fundit ndërmjet Gjermanisë dhe Turqisë.

Steven Young theksoi gjithashtu se “Bosch Turkey” ka shënuar rritje në 2016-n duke e çuar xhiron vjetore në 12 miliardë lira, që nënkupton një rritje me 14 për qind.

“Vitin e kaluar ne realizuam në Turqi investime me vlerë 750 milionë lira. Turqia ka tërhequr investimin e 4-t më të madh të Bosch-it anembanë globit. Për Bosch-in, Turqia është një vend shumë i rëndësishëm”, u shpreh ai.

Young nënvizoi se Bosch Turkey” ka rritur po ashtu numrin e të punësuar duke e çuar atë në mbi 17 mijë dhe kjo e bën Turqinë vendin e 2-të më të madh në Evropë, menjëherë pas Gjermanisë, si dhe të 5-tin në botë për nga aspekti i personelit.

I pyetur nga gazetarët nëse janë prekur investimet e Bosch-it nga problemet ndërmjet Turqisë dhe Gjermanisë, ai tha se kompania ka qenë përherë transparente në lidhje me shifrat dhe se investimet nuk janë prekur aspak.

“Ne kemi ndarë me ju (median) edhe shifrat e investimeve të vitit të kaluar, edhe ato të këtij viti. Përkundrazi, investimet nuk u prekën aspak dhe ne i realizuam ato sipas planifikimeve tona. Klima e tanishme është mjaft e mirë për investime. Në Turqi ka stimuj tërheqës dhe mjaft joshës. Vitin e kaluar, ne u zgjodhëm firma që mori më tepër stimuj në sektorin e automobilistikës dhe kjo tregon besimin e Bosch-it për Turqinë”, tha Steven Young.



Lajme të ngjashme