Çavusoglu: Konferenca e Qipros u mbyll pa rezultat, s’ka më kuptim të vazhdohet kështu

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, deklaroi të enjten vonë se Konferenca e Qipros, një maratonë 10-ditore në qytetin Krans-Montana të Zvicrës për zgjidhjen tërësore të problemit qipriot, nuk ka prodhuar rezultat...

766523
Çavusoglu: Konferenca e Qipros u mbyll pa rezultat, s’ka më kuptim të vazhdohet kështu

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, deklaroi të enjten vonë se Konferenca e Qipros, një maratonë 10-ditore në qytetin Krans-Montana të Zvicrës për zgjidhjen tërësore të problemit qipriot, nuk ka prodhuar rezultat.

Takimi i fundit i Konferencës së Qipros, e cila filloi me një sesion të parë në Gjenevë, më datë 12 janar të këtij viti, për t’i gjetur një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme problemit qipriot, përfundoi pa rezultat pas 10 ditë negociatash.

Në ditën e fundit të Konferencës së Qipros, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u takua në një darkë zyrtare me Presidentin e Republikës Turke të Qipros Veriore, Mustafa Akinci dhe liderin grekoqipriot, Nicos Anastasiades, ministrat e Punëve të Jashtme të Turqisë, Greqisë si dy vende garantuese, Mevlut Çavusoglu dhe Nikos Kotzias, ministrin britanik për Evropën dhe Amerikën, Alan Duncan, vendi i të cilit është gjithashtu garantues në Qipro, përfaqësuesin special të kreut të OKB-së për Qipron, Espen Barth Eide dhe shefen e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, që mori pjesë në Konferencë me cilësinë e vëzhguesit.

Ministri Çavusoglu, i cili doli më pas para gazetarëve në hotelin ku ishte akomoduar, bëri me dije se sesioni i dytë i Konferencës së Qipros, e cila nisi më 28 qershor në Krans-Montana, është mbyllur pa rezultat.

“Fatkeqësisht, takimi i dytë i Konferencës së Qipros në Krans-Montana përfundoi pa rezultat”, ka theksuar Çavusoglu duke shtuar se Turqia ka ofruar çdo kontribut për gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë, tërësore dhe të qëndrueshme për të gjithë qipriotët.

Ministri Çavusoglu tha se Turqia ka siguruar çdo mbështetje për gjetjen e zgjidhjes në 15 vitet e fundit, edhe pse pala greke ka refuzuar Planin e Kofi Annan-it në vitin 2004, një përpjekje për bashkimin e dy pjesëve të ndara të ishullit.

“E vlerësojmë rolin e palës turkoqipriote gjatë këtij procesi, sepse ajo në bisedime ka bërë përherë çfarë i ka takuar për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme dhe të drejtë”, nënvizoi shefi i diplomacisë turke.

Ai tha më tej se mbyllja pa rezultat e këtij takimi tregon që gjetja e një zgjidhjeje në kuadër të parametrave të misionit vullnetmirë të OKB-së është diçka e pamundur.

“Tashmë s’ka më kuptim që të këmbëngulet brenda këtyre parametrave”, potencoi kryediplomati turk duke shtuar se po të kishte një atmosferë pozitive, në Konferencë do të ftonin edhe kryeministrat.

Ai tha gjithashtu se vlerësimet e nevojshme në lidhje me Konferencën e Qipros do të bëhen pasi të ketë informuar me hollësi Presidentin Recep Tayyip Erdogan, Kryeministrin Binali Yildirim dhe Këshillin e Ministrave.

Më herët, ministri Çavusoglu kishte paralajmëruar se bisedimet nuk mund të zgjasnin përgjithmonë dhe se ky cikël i bisedimeve do të ishte i fundit.

Pas takimit të së enjtes, edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, njoftoi se bisedimet kanë përfunduar pa rezultat.



Lajme të ngjashme