Erdogan dhe Putin do të zhvillojnë takim dypalësh gjatë samitit të G-20

Gjatë takimit të dy liderët do të bisedojnë në lidhje me tubacionin gazsjellës Rrjedha Turke dhe centralin bërthamor Akkuyu.

Erdogan dhe Putin do të zhvillojnë takim dypalësh gjatë samitit të G-20

Gjatë takimit të Presidentit Recep Tayyip Erdogan me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin që do të mbahet në kuadër të samitit të G-20, do të bisedohet në lidhje me tubacionin gazsjellës Rrjedha Turke dhe centralin bërthamor Akkuyu.

Këshilltari për Politikë të Jashtme i Kremlinit, Juri Ushakov në deklaratën e tij të bërë në interes të gazetarëve tha se gjatë samitit të 12-të të G-20 që do të mbahet më datat 7-8 korrik në Hamburg të Gjermanisë, Presidenti Erdogan dhe Putin do të bisedojnë në lidhje me projektet e përbashkëta energjetike.

Ushakov duke e bërë të ditur se gjatë takimit do të shqyrtohen pikat e arritura në linjën gazsjellëse të Rrjedhës Turke, ndërtimi i së cilës vazhdon dhe centralit bërthamor Akkuyu, tha se posaçërisht gjatë kohëve të fundit u shënua progres i rëndësishëm në të dyja projekte.

Marrëveshja e parë me Rusinë në lidhje me centralin e parë bërthamor të Turqisë është nënshkruar në vitin 2010.

Centrali bërthamor që do të ndërtohet në Akkuyu do të ketë kapacitet 4 mijë e 800 megavat energji të instaluar dhe do të ketë 4 reaktorë.

Parashikohet që pjesa e parë e centralit, ndërtimi i të cilit do të ketë kosto 20 miliardë dollarë, të lëshohet në përdorim në vitin 2023.

Ndërkaq me anë të marrëveshjes së gazsjellësit të Rrjedhës Turke të nënshkruar në tetor të vitit të kaluar në Stamboll, parashikohet ndërtimi i dy linjave të tubacionit me kapacitet secili 15,75 miliardë metra kub gaz në vit.

Sipas burimeve të Presidencës, Erdogan dhe Putin gjatë bisedës telefonike të realizuar dy ditë më parë kanë rënë dakord që në kuadër të samitit të G-20 në Hamburg të zhvillojnë një takim dypalësh mes tyre.



Lajme të ngjashme