Kurtulmus: Nuk ndryshojmë pozicion pa u garantuar siguria e turqve qipriotë

Turqia vazhdon të mbajë qëndrimin e saj të sinqertë për një paqe të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse dhe nuk do të bëjë hap prapa pa u garantuar siguria e komunitet turk të Qipros, tha të hënën zëdhënësi i qeverisë turke para gazetarëve.

Kurtulmus: Nuk ndryshojmë pozicion pa u garantuar siguria e turqve qipriotë

Në lidhje me bisedimet e Qipros (që vazhdojnë në Crans-Montana të Zvicrës) zëvendëskryeministri dhe zëdhënësi i qeverisë, Numan Kurtullmush (Numan Kurtulmuş) tha se nuk do të ketë hap prapa pa garantuar komunitetin turk të Qipros. 

Pas mbledhjes së qeverisë, mbajtur të hënën në Pallatin Çankaya (selia e kryeministrisë turke), Numan Kurtullmush mbajti një konferencë shtypi. Në lidhje me bisedimet e deritanishme të Qipros që vazhdojnë në qytetin Crans-Montana të Zvicrës, zëdhënësi i qeverisë tha se Turqia vazhdon të mbajë qëndrimin e saj të sinqertë për një paqe të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

"Turqia nuk do të hedhë hap prapa në lidhje me sigurinë dhe garancitë (në Qipro) pa u garantuar siguria e turqve qipriotë. Pozicioni ynë do të vazhdojë të mbetet i pandryshuar në lidhje me këtë çështje. Ndërsa për sa i përket çështjes së hartave dhe territorit, kjo mund të trajtohet në kuadër të qasjeve të Turqisë për kapitullin (e negociatave) e sigurisë dhe garancive (shtetet garantuese). Ky qëndrim, kjo qasje e Turqisë do të vazhdojë edhe këtu”, sqaroi zv/kryeministri Kurtullmush.

Duke iu referuar krizës së Katarit, Numan Kurtullmush tha se kriza ishte një krizë e prodhuar, një krizë artificiale, e jo një krizë e thellë, e rrënjosur dhe e pazgjidhshme.

Ai vuri në dukje se në rast të thellimit të krizës, nga kjo nuk do të prekej vetëm një vend, por të gjitha vendet e rajonit.

Kurtullmush theksoi se krijimi i bazës ushtarake turke në Katar nuk ka lidhje me krizën e Gjirit.

"Baza e Turqisë në Katar nuk është një çështje që ka të bëjë vetëm me sigurinë e Katarit, por edhe me sigurinë e rajonit. Turqia bazën e saj në Katar e ka si pjesë e sigurisë rajonale dhe prania ushtarake e Turqisë atje do të vazhdojë. Si rrjedhim do të kishte pasoja shumë të gabuara ndërlidhja e pranisë ushtarake turke këtu me krizën politike ndërmjet Arabisë Saudite dhe Katarit”, vlerësoi zv/kryeministri.

Ndërsa në lidhje me çështjen siriane, zëdhënësi i qeverisë deklaroi se ashtu siç ndodhi edhe në operacionin “Mburoja e Eufratit”, Turqia do t’u japë përgjigjen e duhur atyre që mbajnë ndaj saj qëndrime armiqësore.

Kurtullmush tha se Turqia e konsideronte rrezikun që do të vinte nga Afrin si një kërcënim kombëtar dhe se këtë e dinë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia.

Numan Kurtullmush bëri sqarime edhe mbi vizitën e Presidentit Rexhep Tajip Erdoan në Gjermani, ku do të shkojë për të marrë pjesë në samitin e G20-s, që do të mbahet në Hamburg në datat 7-8 korrik.

Kurse në lidhje me deklaratat që kanë bërë disa politikanë gjermanë, të cilët nuk duan që Erdoani të takohet me qytetarët turq që jetojnë në Gjerman, zëdhënësi i qeverisë, Kurtullmush tha:

"Tensioni prodhohet nga disa politikanë gjermanë, Presidenti ynë do të bëjë programin e tij”.



Lajme të ngjashme