Ertugruloglu: Ushtari turk do të qëndrojë në Qipro

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV), Tahsin Erturullollu në një deklaratë që bëri lidhur me prezencën e ushtarit turk në ishull tha se Forcat e Armatosura Turke do të vazhdojnë të qëndrojnë në Ishullin e Qipros.

757180
Ertugruloglu: Ushtari turk do të qëndrojë në Qipro

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV), Tahsin Erturullollu (Tahsin Ertuğruloğlu) në një deklaratë që bëri lidhur me prezencën e ushtarit turk në ishull tha:

“Askush të mos ëndërrojë kot, Forcat e Armatosura Turke do të vazhdojnë të qëndrojnë në Ishullin e Qipros”.

Këto deklarata Erturullollu i bëri në Ankara, ku ka ardhur për kontakte zyrtare. Ai iu përgjigj pyetjeve të agjencisë së lajmeve Anadolli (AA) në lidhje me bisedimet e Qipros, që do të vazhdojnë më 28 qershor në qytetin Crans-Montana të Zvicrës.

Turqit dhe grekët e Qipros janë dy partnerë të vjetër themelues të Republikës së Qipros, nënvizoi Erturullollu.

Në themelet e problemit qëndron qasja e palës grekoqipriote, e cila nuk i shikon turqit e ishullit si partner, por si pakicë, theksoi Erturullollu duke shtuar se nuk është e mundur si në aspektin teknik, edhe në atë diplomatik ngritja nga tavolina me një marrëveshje, e cila e pranon si faktor kryesor barazinë në procesin e bisedimeve që vazhdon mbi themelet e pabarazisë.

 

Ai që e kërkon dhe dëshiron një marrëveshje në Qipro është populli turk i Qipros, tha Erturullollu dhe e vazhdoi deklaratën e tij me fjalët:

“Edhe në rast se nuk do të arrihet një marrëveshje, atëherë kjo duhet të shpallet zyrtarisht nga Kombet e Bashkuara. Për këtë arsye ne presim që Crans-Montana të jetë me të vërtetë raundi i fundit”.

“Po luhet një lojë që ka për qëllim ti lërë në pozitë të vështirë palën turke, Turqinë dhe popullin turk të Qipros në lidhje me kapitullin e territoreve dhe garancive. Po bëhen përpjekje për të krijuar një opinion sikur është arritur marrëveshja për të gjithë kapitujt e tjerë dhe se problemi i vetëm tani ka mbetur çështja e territorit dhe garancive (shtetet garantuese). Kjo është ajo që mundohet të bëjë pala grekoqipriote. Gjithashtu edhe përpjekjet e Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Qipron, Espen Eide për të përgatitur një dokument të veçantë në lidhje me këta dy kapituj tregon atë që grekoqipriotët kanë rënë në kurthin e kësaj loje”, vlerësoi Erturullollu.

Përmes kësaj synohet ushtrimi i presionit ndaj Turqisë për të hequr dorë nga e drejta e vendit garantues, u shpreh ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Turke të Qipros së Veriut, dhe shtoi: “Ajo që duhet të dinë ata është se populli turk i Qipros nuk do të pranojë kurrë një formulë që përjashton garancinë e atdheut mëmë, Turqisë”.

E drejta e Turqisë për të ndërhyrë në mënyrë të njëanshme, e drejtë e parashikuar në marrëveshjen e vitit 1960 për Sistemin e Shteteve Garantuesve, është faktori që i shpëtoi turqit qipriotë, sqaroi Erturullollu, ndërsa cilësoi se qëndrimi vetëm i një numri të caktuar ushtarësh turq në ishull nuk nënkupton garancinë e vërtetë.

Në qoftë se pala greke e Qipros do të tentojë në të ardhmen të përsërisë atë që bëri në vitin 1963 (për të marrë të gjithë ishullin), atëherë Turqia duhet të zotërojë të drejtën e ndërhyrjes në mënyrë të njëanshme, theksoi Erturullollu.

“Kështu që askush të mos shikojë ëndrra. Forcat e Armatosura Turke do të vazhdojnë të qëndrojnë në ishull dhe Turqia do të ketë të drejtë të ndërhyjë në mënyrë të njëanshme, kuptohet nëse do të jetë e nevojshme, jo sipas qejfit”, përfundoi ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Turke të Qipros së Veriut.



Lajme të ngjashme