Çavusoglu: Të angazhuar për zgjidhjen e krizës së Katarit përpara Fitër Bajramit

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, bëri me dije se Presidenti Erdogan dhe homologu i tij amerikan, Donald Trump, do të bisedojnë në telefon për zgjidhjen e krizës së Katarit përpara Fitër Bajramit...

Çavusoglu: Të angazhuar për zgjidhjen e krizës së Katarit përpara Fitër Bajramit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të realizojë një bisedë telefonike me homologun e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ku në fokus do të jetë kriza ndërmjet Katarit dhe vendeve arabe të Gjirit.

Ky informacion ka ardhur të martën drejtpërsëdrejti nga ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, i cili theksoi se në këtë bisedë telefonike do të merret në shqyrtim kriza e Katarit.

Në një prononcim për gazetarët në Kuvendin e Madhe Popullor të Turqisë, Mevlut Çavusoglu theksoi se Ankaraja është angazhuar në kontakte të vazhdueshme të çdo niveli për zgjidhjen e krizës së Katarit përpara fundit të muajit të bekuar të ramazanit dhe festës së Fitër Bajramit (që fillon më 25 qershor).

“Me shumë gjasa, Presidenti Erdogan dhe Presidenti do të bisedojnë (në telefon) gjatë ditëve në vijim. (Sekretari amerikan i Shtetit, Rex) Tillerson më tha në telefon se ‘Trumpi dëshiron të bisedojë me Presidentin Erdogan’. Pra, ne mbështesim përpjekjet ndërkombëtare dhe njëherësh përpiqemi vetë në mënyrë shumë aktive, personalisht Presidenti Erdogan, që ky problem të zgjidhet përpara bajramit”, u shpreh ai.

Disa vende arabe – vijoi Çavusoglu – po mundohen të shpjegojnë arsyet e vendimit, që ato morën kundër Katarit; ndërkohë që zëra opozitarë të fuqishëm ndaj masave për nevojat bazë si ilaçet e produktet ushqimore, por edhe kundër largimit urgjent nga këto vende, ka madje edhe brenda 4 shteteve nismëtare të embargos.

“Turqia po ndërmjetëson dhe njëherësh po përfshin të gjithë në brendësi të kësaj çështjeje. Ne po bëjmë me të vërtetë diçka konstruktive. Por po ua themi shumë haptazi dhe qartë në fytyrë edhe vetë atyre. Pra, hapat e ndërmarra prej tyre janë të pamatura, ekstreme dhe të gabuara; nuk janë as islame dhe as njerëzore”, theksoi shefi i diplomacisë turke duke shtuar se Katari ka qenë përherë pranë Arabisë Saudite dhe vendeve të tjera të Gjirit për sa u takon çështjeve rajonale.

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Bahrejni, Egjipti dhe Jemeni njoftuan më datë 5 qershor shkëputjen e të gjitha marrëdhënieve diplomatike të tyre me Katarin duke e akuzuar këtë shtet për “mbështetje të terrorizmit”.

Menjëherë pas këtij njoftimi, diplomatët e Katarit u urdhëruan që të largoheshin brenda 48 orëve nga Arabia Saudite, EBA dhe Bahrejni, shtete këto që mbyllën gjithashtu hapësirat e tyre ajrore për Katarin; ndërkohë që Arabia Saudite mbylli edhe kufirin e vetëm tokësor të këtij vendi.

Bllokadës diplomatike kundër Shtetit të Katarit iu bashkuan më pas Maldivet, Mauritania, Unioni i Komoreve dhe qeveria libiane e Tobrukut, e cila nuk njihet nga komuniteti ndërkombëtar, pasi mbështet gjeneralin puçist, Halifa Belkasim Haftar.

Ndërsa Jordania bëri me dije uljen e nivelit të marrëdhënieve diplomatike me Katarin dhe mbylljen e zyrës lokale të televizionit panarab “Al-Jazeera”, me seli në Doha.



Lajme të ngjashme