Turqia mohon se denacionalizimi i Gylenit mund të shkaktojë probleme për ekstradimin

Ministri turk i Drejtësisë thotë se kjo masë nuk do të shkaktonte pengesë për ekstradimin e Gylenit nga SHBA-ja dhe arrestimin e përkohshëm në Turqi...

Turqia mohon se denacionalizimi i Gylenit mund të shkaktojë probleme për ekstradimin

Ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozda (Bekir Bozdağ), deklaroi të martën se denacionalizimi i liderit të organizatës terroriste gyleniste/struktura paralele në shtet (FETO/PDY), Fetullah Gylenit (Fethullah Gülen), nuk do të krijonte një pengesë për ekstradimin e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Turqi.

Sipas një vendimi qeveritar të botuar ditën e hënë në Fletoren Zyrtare, Turqia do të revokojë nënshtetësinë e 130 personave, nëse ata nuk kthehen në Turqi dhe nuk përballen me akuzat kundër tyre brenda 3 muajve.

“Denacionalizimi nuk i heq Turqisë të drejtën për të gjykuar (Gylenin). E drejta e Turqisë për të gjykuar është e rezervuar në të gjitha rrethanat dhe shkarkimi i kësaj të drejte është jashtë diskutimit. E njëjta gjë vlen edhe për arrestimin e përkohshëm”, theksoi ministri Bozda përpara gazetarëve në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë.

Bozda tha se Turqia nuk do të heqë dorë nga kërkesa e saj për ekstradimin e Gylenit nga SHBA-ja në Turqi.

“Agjenda kryesore e marrëdhënieve Turqi-SHBA është tani arrestimi i përkohshëm i kreut të organizatës terroriste gyleniste dhe ekstradimi i tij në Turqi. Ne do ta kthejmë udhëheqësin e FETO-s në Turqi herët a vonë dhe do ta nxjerrim atë përpara drejtësisë”, shtoi ministri.

Lista e Ministrisë së Brendshme me emrat e 130 personave në fjalë përfshin mes të tjerësh udhëheqësin e FETO-s, dy deputetë të Partisë Demokratike të Popujve (HDP), Fajsall Sarëjëlldëz (Faysal Sarıyıldız) dhe Tuba Hezer (Tuğba Hezer), si dhe ish-deputetin e HDP-së, Ozdall Yçer (Özdal Üçer).



Lajme të ngjashme