Rusi – Presidenti Putin dekreton shfuqizimin e masave kufizuese kundër Turqisë

Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, nënshkroi të mërkurën dekretin, që parashikon shfuqizimin e një sërë masave kufizuese kundër Turqisë...

743105
Rusi – Presidenti Putin dekreton shfuqizimin e masave kufizuese kundër Turqisë
putin imza.jpg
antalya turizm.jpg

Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, nënshkroi të mërkurën dekretin, që parashikon shfuqizimin e një sërë masave kufizuese kundër Turqisë.

Sipas dekretit në fjalë, merr fund “ndalimi i punësimit në Rusi” për qytetarët turq, një sanksion ky në fuqi që prej 1 janarit 2016; si dhe hiqen kufizimet në disa fusha të caktuara ndaj firmave turke, të cilat operojnë në territoret ruse.

Një surprizë e vërtetë në këtë dekret është lehtësimi i pjesshëm i regjimit të vizave të Rusisë për qytetarët turq. Shtetasit turq të një kategorie të caktuar do të mund ta vizitojnë Rusinë sërish pa viza, sikurse veprohej përpara krizës së avionit në fund të vitit 2015.

Hollësitë në lidhje me liberalizimin e pjesshëm të vizave ruse për turqit do të qartësohen pas korrespondencave ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë dhe dikasterit homolog të saj në Ankara, gjatë ditëve në vijim.

Dy vendet në fjalë kishin vendosur reciprokisht sanksione kundër njëra-tjetrës pas rrëzimit të avionit luftarak rus, i cili kishte shkelur hapësirën ajrore turke, në nëntor të 2015-s.

Ndërkaq, Agjencia Federale e Transportit Ajror të Rusisë (Rosaviatsiya) hoqi të mërkurën të gjitha kufizimet ndaj fluturimeve me destinacion Antalian.

Burime pranë agjencisë Rosaviatsiya theksuan se kanë tërhequr gjithashtu paralajmërimin e dërguar kompanive ajrore ruse rreth një pezullimi të mundshëm të fluturimeve “charter” drejt qendrës turistike turke.

“Të gjitha kufizimet për fluturimet drejt Antalias janë hequr”, nënvizoi i njëjti burim.

Në fillim të majit, Rosaviatsiya kishte tërhequr paralajmërimin e saj rreth një pezullimi të mundshëm të fluturimeve drejt të gjitha qyteteve turke, me përjashtim të Antalias.



Lajme të ngjashme