Turqia hap kampe verore për fëmijët e emigrantëve

Për të rinjtë që jetojnë jashtë shtetit në datat 29 qershor – 20 shtator në Turqi do të organizohet kamp veror njëjavor pa pagesë.

Turqia hap kampe verore për fëmijët e emigrantëve

Projekti realizohet nga Agjencia e Kryeministrisë për Turqit që Jetojnë Jashtë Shtetit dhe Komunitetet e Afrishme (YTB) në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Rinisë dhe Sportit. Aplikimet për të marrë pjesë në kampet verore në Turqi do të vazhdojnë deri më datën 9 qershor.

Ministria e Rinisë dhe Sportit në kampet e saj ka rezervuar një kontingjent të posaçëm për të rinjtë e grup-moshës 18-22 vjeç, të cilët janë shtetas turq por që jetojnë jashtë shtetit ose kanë lindur jashtë dhe zotërojnë “kartën blu”, bëjnë të ditur burime pranë YTB-së.

Programi i pushimeve verore do të realizohet në kampet e ministrisë në Antalya, Bolu, Kirsehir, Trabzon dhe Kastamonu ndërmjet datave 29 qershor – 20 shtator, në periudha të ndryshme për femra dhe meshkuj.

Nevojat për akomodim dhe ushqim të të rinjve që do të marrin pjesë në këto kampe do të përballohen nga Ministria e Rinisë dhe Sportit dhe të rinjtë nuk do të paguajnë asgjë.

Ndërsa shpenzimet e transportit vajtje-ardhje (me avion) në Turqi për të rinjtë e diasporës do të përballohen nga YTB-ja në shumën e përcaktuar sipas vendeve ku ata jetojnë.

Pjesëmarrësit në Kampet e Rinisë do të kenë mundësi të angazhohen në aktivitete të ndryshme sportive si: gjuajtje me shigjetë, kacavarje në mur, mini-golf, rafting, çiklizëm malor; në lojërat tradicionale, programe muzikore, teatër, valle popullore, si dhe shëtitje kulturore e seminare për zhvillimin individual.

Synimi i këtyre kampeve është forcimi i lidhjeve të të rinjve turq që jetojnë jashtë shtetit me atdheun mëmë, ofrimi atyre i mundësisë për të parë në vend trashëgiminë historike dhe kulturore. Programet e qëndrimit në këto kampe do të jenë 7-ditore.

Të interesuarit mund të aplikojnë përmes adresës www.ytb.gov.tr/genclikkamplari/

 



Lajme të ngjashme