Turqia mohon kufizimin e importeve të produkteve bujqësore ruse

Ministria turke e Ekonomisë mohoi të mërkurën pretendimet e disa organeve të medias se vendi kishte vendosur kufizime mbi importet e produkteve bujqësore ruse...

739326
Turqia mohon kufizimin e importeve të produkteve bujqësore ruse

Ministria turke e Ekonomisë mohoi të mërkurën pretendimet e disa organeve të medias se vendi kishte vendosur kufizime mbi importet e produkteve bujqësore ruse.

“Pretendimet e lajmeve në fjalë nuk pasqyrojnë të vërtetën”, thuhet në një komunikatë me shkrim të Ministrisë së Ekonomisë.

“Turqia i qëndron besnike marrëveshjes së nënshkruar", shton ajo duke iu referuar deklaratës së nënshkruar më 22 maj ndërmjet Turqisë dhe Rusisë për të hequr kufizimet mbi tregtinë dypalëshe, të cilat ishin vendosur pas rrëzimit nga ushtria turke të një avioni luftarak rus, që kishte shkelur hapësirën ajrore të Republikës së Turqisë, në fund të vitit 2015.

Deklarata në fjalë, nënshkruar në Stamboll nga zëvendëskryeministri turk, Mehmet Shimshek (Mehmet Şimşek) dhe zëvendëskryeministri rus, Arkadi Dvorkoviç (Arkady Dvorkovich), synon të normalizojë dhe të zhvillojë ekonomitë e të dy vendeve, si dhe të rrisë vëllimin tregtar aktual mes Rusisë dhe Turqisë.

Pas incidentit të avionit në nëntor 2015, Moska ndërmori disa masa kundër Ankarasë duke përfshirë një ndalim mbi importet e produkteve bujqësore turke dhe përfundimin e udhëtimit pa viza për qytetarët turq.

Më tej, komunikata me shkrim e Ministrisë turke të Ekonomisë rikujton se mes dy vendeve janë rivendosur marrëdhënie të mira falë vullnetit të Presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) dhe Kryetarit të Shtetit të Federatës Ruse, Vladimir Putin.

Në fund, pasi sqaron se punimet për heqjen e kufizimeve në marrëdhëniet ekonomiko-tregtare dhe për zhvillimin e tyre në kuadër të objektivave të përcaktuara më herët kanë prodhuar rezultate shumë pozitive; komunikata në fjalë kërkon që të mos merren në konsideratë dhe të injorohen lajmet, të cilat pretendojnë se Turqia ka vendosur kufizime dhe kuota mbi importet e produkteve bujqësore nga Rusia.



Lajme të ngjashme