Koment – “Turqia”, korridor qendror në Rrugën Moderne të Mëndafshit

Me vendndodhjen gjeografike që zotëron në investimet infrastrukturore, të transportit dhe ato energjetike, të cilat do të realizohen në kuadrin e projektit të Rrugës Moderne të Mëndafshit, Turqia pozicionohet në një pikë kritike...

736903
Koment – “Turqia”, korridor qendror në Rrugën Moderne të Mëndafshit

Projekti i Rrugës Moderne të Mëndafshit, i quajtur zyrtarisht “Një Brez, Një Rrugë” (OBOR), ide e hedhur në vitin 2013 nga lideri kinez, Shi Xhinping (Xi Jinping), përfaqëson një rrjet transporti dhe një nismë ekonomike me përmasa kolosale duke përfshirë në gjirin e tij kontinentet e Azisë, Evropës dhe Afrikës. Ky projekt, i cili bart në vetvete investime gjigante dhe njëherësh synon investime të tjera me përmasa shumë më të mëdha, mund të shikohet si një depërtim ekonomik tokësor dhe detar i Kinës në vendet perëndimore.

Sipas planit, Rruga Moderne e Mëndafshit do të jetësohet mbi dy linja të ndryshme. Njëra prej linjave, që mendohen të ndërtohen, është ajo e quajtur “Brezi Ekonomik i Rrugës së Mëndafshit” dhe që do të lidhë me njëra-tjetrën përmes rrugëve tokësore Kinën, Azinë Qendrore, Rusinë dhe Evropën. Kurse linja e dytë është “Rruga Detare e Mëndafshit”, e cila do të lidhë Kinën me Gjirin Persik dhe Mesdheun përmes Oqeanit Indian.

Me anë të Rrugës Moderne të Mëndafshit, e cila pritet të orientojë fuqishëm ekuilibrat e ekonomisë globale, tregtia dhe investimet do të gjallërohen në të gjitha vendet e përcaktuara si gjurmë të këtij projekti. Po ashtu investimet kapitale, që do të realizohen në vendet e lartpërmendura me këtë projekt, do të sjellin me vete zhvillim ekonomik dhe rritje të mirëqenies. Lidhja me njëri-tjetrin e 65 shteteve në gjurmën e projektit të Rrugës Moderne të Mëndafshit përmes rrugëve tokësore, porteve detare, hekurudhave dhe aeroporteve, do të krijojë një rrjet tregtie të drejtpërdrejtë ndërmjet këtyre vendeve duke përshpejtuar edhe rrjedhën tregtare të rajonit.

Kurse Turqia, vend që ndodhet mbi kursin tokësor të projektit, pozicionohet në pjesën e Korridorit Qendror të këtij itinerari, i cili shtrihet nga Republika Popullore e Kinës deri në Evropë. Me vendndodhjen gjeografike që zotëron në investimet infrastrukturore, të transportit dhe ato energjetike, të cilat do të realizohen në kuadrin e projektit të Rrugës Moderne të Mëndafshit, Turqia pozicionohet në një pikë kritike. Një nga shembujt më konkretë të kësaj janë partneritetet e ndryshme investuese të realizuara në Turqi, në kuadër të projektit hekurudhor Pekin-Londër. Vënia në shërbim e tunelit hekurudhor “Marmaray” në vitin 2013, përurimi i Urës “Yavuz Sultan Selim” në 2016-n, si dhe punimet në vazhdim e sipër për projektin hekurudhor Baku-Tbilis-Kars, tregojnë qartë se Turqia vepron në mënyrë të integruar me Rrugën Moderne të Mëndafshit.

Tregtimi i energjisë është një tjetër çështje e rëndësishme, e cila del në plan të parë në këtë projekt kolosal. Me projektin gazsjellës TANAP, aktualisht në ndërtim e sipër, si dhe atë “Rryma Turke”, etapa e parë e të cilit pritet të jetë funksionale në vitin 2019, Turqia zotëron një pozitë me peshë madhore edhe në aspektin energjetik. Meqenëse ka një vendndodhje qendrore në tregtinë e energjisë ndërmjet Azisë dhe Evropës, Turqia do të kontribuojë dukshëm në Rrugën Moderne të Mëndafshit duke siguruar rrjedhën e energjisë në drejtimin Lindje-Perëndim.

Projekti i Rrugës Moderne të Mëndafshit u prezantua zyrtarit në një samit të mbajtur në Pekin, më 14-15 maj, ku i pranishëm ishte gjithashtu Presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdogan). Në këtë samit, Turqia ra dakord dhe nënshkroi 3 marrëveshje të ndryshme në disa çështje të caktuara me Kinën, vend që përfaqëson ekonominë e dytë më të madhe në botë. Samiti në fjalë dha sinjalin për hapjen e portave të një periudhe të re në marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Ankarasë dhe Pekinit.

Shteti me popullsinë më të madhe në botë dhe me një kapacitet eksporti mbi 2 trilionë dollarë në vit, Kina ka realizuar në Turqi një eksport me vlerë 25 miliardë dollarë gjatë vitit 2016, ndërkohë që importi i bërë nga ky vend në të njëjtën periudhë ka qenë vetëm 2,3 miliardë dollarë. Në këto rrethana, projekti i Rrugës Moderne të Mëndafshit fiton edhe një tjetër herë më shumë rëndësi nga aspekti i zgjerimit në favor të Turqisë të raporteve dypalëshe, të cilat nuk gëzojnë një vëllim tregtar të balancuar. Transporti i mallrave ndërmjet Turqisë dhe Kinës realizohet normalisht në 30 ditë, por me Rrugën Moderne të Mëndafshit ky afat synohet të ulet në 10 ditë. Në këtë kontekst, rëndësia e projektit në këndvështrimin e Turqisë rritet edhe më tepër kur mendojmë për ecurinë e marrëdhënieve tregtare ndërmjet dy vendeve. Ndërkaq, hapja e zonave tregtare të reja në Turqi falë këtij projekti do të kontribuojë gjithashtu pozitivisht në rritjen e potencialit eksportues të vendit.

Nëse jetësohet me sukses projekti i Rrugës Moderne të Mëndafshit, një pjesë e të cilit është edhe Turqia, pritet që ai të gjallërojë ndjeshëm dinamikat e ekonomisë globale. Si rezultat i këtij roli aktiv të Kinës në rajon dhe i marrëveshjeve të arritura mes saj dhe vendeve të gjurmës së korridorit një nga një, Rruga e Mëndafshit – ajo historikja – do të rigjenerohet dhe tregtia botërore do të rrjedhë në drejtimin Lindje-Perëndim.

 

Autor: Prof. dr. Erdal Tanas Karagol - Fakulteti i Shkencave Politike, Universiteti “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme