Yildirim: Të fuqishëm e të vendosur për luftuar qoftë edhe vetëm kundër terrorizmit

Në Londër për të marrë pjesë në Konferencën për Somalinë, Kryeministri Binali Yildirim deklaroi të premten se Turqia është mjaftueshëm e fuqishme dhe e vendosur për të luftuar qoftë edhe vetëm kundër terrorizmit...

Yildirim: Të fuqishëm e të vendosur për luftuar qoftë edhe vetëm kundër terrorizmit

Kryeministri turk, Binali Yildirim, deklaroi të premten se Presidenti Recep Tayyip Erdogan në takimin e tij me Presidentin Donald Trump, gjatë vizitës që do të realizojë më 16 maj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të bisedojë në lidhje me operacionin kundër DAESH-it në qytetin Raka të Sirisë.

Kryeministri Yildirim iu përgjigj interesit të gazetarëve në Londër, ku shkoi për të marrë pjesë në Konferencën për Somalinë.

Shefi i Ankarasë zyrtare tha se takimi i Presidentit Erdogan javën e ardhshme me homologun e tij amerikan, Donald Trump, do të jetë një shans i mirë për të eliminuar divergjencat në lidhje me operacionin në Raka.

“Kam shpresa që administrata e Trumpit nuk do të përsërisë gabimet e asaj pararendëse të ish-presidentit Barack Obama. Por edhe në rast të kundërt, Turqia është mjaftueshëm e fuqishme dhe e vendosur për të luftuar qoftë edhe vetëm kundër terrorizmit”, theksoi ai.

Pasi e cilësoi furnizimin me armatime të PYD/YPG-së, fraksioni sirian i organizatës separatiste terroriste PKK, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si “një punë që nuk u ka hije shteteve serioze”; Yildirim bëri të ditur se administrata amerikane ka garantuar që PKK-në separatiste e njeh si organizatë terroriste, ndërsa shtoi se Thesari amerikan i Shtetit do të nisë hetime në lidhje me financimin e kësaj organizate.

Më tej, kryeqeveritari turk vlerësoi edhe marrëdhëniet e vendit të tij me Britaninë e Madhe.

“Ne duhet të rrisim bashkëpunimin tonë me Anglinë pas Brexit-it. Në fund të procesit të divorcit të Anglisë nga Bashkimi Evropian, ne do të kemi gati marrëveshjen për tregti të lirë me këtë vend dhe do ta nënshkruajmë atë brenda një kohe të shkurtër”, nënvizoi ai.

Kryeministri Yildirim potencoi gjithashtu se BE-ja duhet të shpalosë një vizion për të ardhmen duke e kritikuar atë se është transformuar në një shtet burokratik.



Lajme të ngjashme