Terroristët e PYD/PKK-së në kërkim të dollarëve të humbur në Karaçok

Organizata terroriste PYD/PKK është vënë në kërkim të dollarëve amerikanë, që kanë humbur pas operacionit ajror të ushtrisë turke në bazën terroriste siriane në malin Karaçok...

Terroristët e PYD/PKK-së në kërkim të dollarëve të humbur në Karaçok

Organizata terroriste PYD/PKK është vënë në kërkim të dollarëve amerikanë, që kanë humbur pas operacionit ajror të ushtrisë turke në bazën terroriste siriane në malin Karaçok.

Siç raporton korrespondenti i AA-së në qytezën Kamishli të provincës Hasakah, në veri të Sirisë, organizata terroriste PYD/PKK po kërkon një sasi të madhe dollarësh, që kanë humbur menjëherë pas operacionit ajror të Forcave të Armatosura të Turqisë më 25 prill.

Të ashtuquajturit liderë të organizatës kanë marrë në pyetje shumë terroristë, që morën pjesë në pastrimin e rrënojave në bazën e tyre në Karaçok, ku ruheshin dollarët e zhdukur pas operacionit ajror të ushtrisë turke; por ende nuk është gjetur asnjë gjurmë e parave.

Pas dështimit në “hetimin e brendshëm”, organizata terroriste është vënë në ndjekje të kambistëve të njohur në tregun e valutës së zonës. Organizata, e cila ka arritur të gjejë në rrënoja regjistrin, ku ishin shënuar numrat e serisë së dollarëve të zhdukur, po i merr në pyetje kambistët dhe, përveç numrave të serisë së dollarëve që ata disponojnë, po kontrollon gjithashtu nëse këto para mbajnë apo jo erë hiri.

Një tjetër pistë, e cila po hetohet nga anëtarët e organizatës terroriste, është ajo e personave, që mund të kenë këmbyer shuma të mëdha dollarësh gjatë ditëve të fundit.

Më datë 25 prill, ushtria turke goditi nga ajri disa shpella në malin Karaçok, në qytezën Kamishli të provincës Hasakah të kontrolluar nga PYD/PKK-ja, shumë pranë kufirit irakian. Mali Karaçok shfrytëzohet prej gati dy vitesh për planifikimin e aktiviteteve terroriste të PYD/PKK-së në Siri dhe për të siguruar transferimin e terroristëve dhe armëve në linjën Siri-Irak.

Pas operacionit ajror të ushtrisë turke, ku u neutralizuan të paktën 49 terroristë dhe baza e tyre doli krejtësisht jashtë përdorimit, zona në fjalë u vizitua nga komandanti i trupave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë rajon për të ofruar mbështetje për organizatën.

SHBA-ja mbështet financiarisht dhe ushtarakisht organizatën terroriste PYD/PKK nën pretekstin e luftës kundër DAESH-it.



Lajme të ngjashme