Operacioni “Burimi i Paqes”

Qëllimi ynë është paqja
objektivi është terrorizmi

Koment – Referendumi turk, një triumf për demokracinë

Si asnjëherë më parë, më 16 prill 2017 ishte vetë populli turk ai që vendosi se me cilin sistem do të qeveriset vendi; jo puçistët dhe komplotistët e grushteve të shtetit...

Koment – Referendumi turk, një triumf për demokracinë

Turqia votoi gjatë muajit të kaluar për një referendum historik dhe, me një pjesëmarrje rekord prej 85 për qind, miratoi me 51,4 për qind të votave “Po” reformën kushtetuese, ku përfshihet edhe tranzicioni në sistemin qeverisës presidencial. Ajo çfarë e bën të jashtëzakonshëm këtë votim plebishitar është fakti që, si asnjëherë më parë, ishte vetë populli turk ai që vendosi se me cilin sistem do të qeveriset vendi; jo puçistët dhe komplotistët e grushteve të shtetit.

Sistemi qeverisës i ri, i cili do të hyjë në fuqi në muajin nëntor të vitit 2019, do të bëjë më të qëndrueshme demokracinë turke dhe do të fuqizojë ndarjen e pushteteve duke u dhënë fund qeverive të dobëta të koalicionit. Që nga viti 1960 e këtej, të paktën 4 qeveri të zgjedhura me votë të lirë janë rrëzuar nga ushtria ose klika të caktuara brenda saj. Në sistemin parlamentar turk të projektuar nga regjimet ushtarake, koalicionet qeveritare jetëshkurtra fragmentonin arenën politike, dobësonin ekonominë dhe institucionet politike, si dhe u hapnin rrugën ndërhyrjeve të ushtrisë.

Referendumi i 16 prillit 2017 shënoi një kthesë në historinë e demokracisë turke. Me sistemin e ri presidencial, presidentët e ardhshëm të Republikës së Turqisë, që do të drejtojnë pushtetin ekzekutiv, do të duhet të sigurojnë mbështetjen e shumicës së votuesve për të marrë mandatin qeverisës. Në këmbim të kësaj, sistemi i ri do të jete një barrierë kundër puçistëve që ata të mos rrëmbejnë dot kompetencat e autoriteteve të zgjedhura. Parlamenti i ardhshëm do të ketë kompetenca gjithëpërfshirëse kundër presidentit, të tilla si miratimi i ligjeve – të cilat do të jenë të detyrueshme për degën ekzekutive, por edhe hetimi e madje akuzimi i Presidentit në detyrë duke ia adresuar atë Gjykatës Supreme. Pra, Kuvendi i Madh Popullor i Turqisë do të mund të kërkojë zgjedhje të parakohshme për të rrëzuar presidentin nga pushteti. Me kontrollet dhe balancat në fuqi, si presidenti ashtu edhe parlamenti do të duhet të punojnë së bashku për një politikë të konsensusit për çështjet kyçe. Thënë ndryshe, ndërkohë që zgjeron kompetencat e ekzekutivit, sistemi i ri qeverisës i Turqisë i jep gjithashtu parlamentit mekanizmat e nevojshme për kufizimin e kompetencave të presidentit dhe për mbikëqyrjen e tij.

Gjatë ditëve të fundit janë prodhuar një numër i madh teorish konspirative në lidhje me referendumin kushtetues të 16 prillit. Pas disfatës së radhës në zgjedhje, partia opozitare kryesore e Turqisë (CHP) trumbetoi pa kurrfarë prove kinse rezultati i votimit plebishitar nuk pasqyronte vullnetin kombëtar dhe aplikoi pranë Këshillit të Lartë Zgjedhor (YSK) me kërkesën për anulimin dhe përsëritjen e referendumit. Argumenti kryesor i saj ishte se fletët e pavulosura të votimit, detyrë e Komisioneve të Qendrave të Votimit ku nuk mungonin as anëtarët e CHP-së, duhet të numëroheshin si të pavlefshme. Për ironi të fatit, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2015, e njëjta forcë politike i kishte kërkuar Këshillit të Lartë Zgjedhor që të mos shpallte të pavlefshme fletët e pavulosura të votimit për shkak të gabimeve të Komisioneve të Qendrave të Votimit. Në 2015-n, sikurse dhe shumë herë të tjera që nga viti 1984 e këtej, Këshilli i Lartë Zgjedhor ishte i të njëjtit mendimi me partinë opozitare kryesore të Turqisë.

Duke pasur parasysh që në çdo qendër votimi kishte përfaqësues nga të dyja palët, madje edhe nga parti të tjera, ishte e pamundur që të bëheshin manipulime apo parregullsi. Vlen të theksohet gjithashtu se përfaqësuesit e forcave politike opozitare kanë dhënë miratimin e tyre në shumë raste për zarfe apo fletë votimi të pavulosura.

Nga ana tjetër, vëzhguesit ndërkombëtarë nuk mbajtën një qëndrim asnjanës në politikën turke dhe raportet e publikuara prej tyre u paraqitën si provë e manipulimeve/parregullsive jo vetëm nga pala e fushatës “Jo”, por edhe nga shtypi i huaj. Kurse në median sociale u publikuan fotografi të vëzhguesve ndërkombëtarë me të ashtuquajturit flamuj të PKK-së, e cila njihet si organizatë terroriste nga Turqia, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pavarësisht të gjitha këtyre, Turqia, ku rrënjët e traditës kushtetuese shtrihen deri në shekullin e 19-të, bëri një hap gjigant drejt një demokracie më të fuqishme dhe më të qëndrueshme. Tashmë duhet të fokusohemi mbi çështjet e vështira, që kemi përpara.

Rreth 2-3 muaj përpara referendumit, në rend të ditës qenë ngritur pyetje në lidhje me të ardhmen e marrëdhënieve Turqi-BE. Disa qeveri evropiane penguan ministrat turq dhe disa politikanë të tjerë pro ndryshimeve kushtetuese që të realizonin takime me zgjedhësit turq në vendet e tyre, ndërkohë që u dhanë çek të bardhë përkrahësve të fushatës “Jo” duke përfshirë këtu edhe anëtarët e PKK-së. Të gjitha këto zhvillime reduktuan ndjeshëm besueshmërinë e Brukselit në këndvështrimin e Turqisë.

Ndërsa që pas referendumit e këtej, lëvizjet e ekstremit të djathtë në Evropë po u thonë qytetarëve turq që të kthehen në vendin e tyre. Kjo gjë ngre pyetje serioze në lidhje me kursin e kontinentit në të ardhmen. Liderët evropianë duhet të pyesin veten nëse do t’i shkëpusin apo jo lidhjet me Turqinë, e cila posedon ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s. Siç e ka theksuar pak kohë më parë edhe Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ne duam që Brukseli t’i qaset me sinqeritet çështjes së procesit të anëtarësimit të Turqisë në Union. Pas nënshkrimit të marrëveshjes BE-Turqi për refugjatët, liderët evropianë nuk i përmbushën përgjegjësitë e tyre. Megjithatë turqit vazhduan të mbajnë mysafirë në vendin e tyre mbi 3 milionë sirianë; ndërsa Turqia renditet në vendin e parë në listën e shteteve, të cilat ndajnë fonde për ndihma humanitare nga të ardhurat kombëtare.

Ndërkaq, forcat speciale turke, të mbështetura edhe nga Ushtria e Lirë Siriane (FSA), çliruan nga pushtimi i organizatës terroriste DAESH një hapësirë mbi 2.000 km2 në zonën veriore të Sirisë. Kurse një forcë vullnetare e stërvitur nga ushtria turke po lufton sot e kësaj dite kundër DAESH-it në qytetin Mosul të Irakut. Miqtë dhe aleatët tanë mund t’u besojnë pa hezitime dhe pa rezerva angazhimeve afatgjata të Turqisë në lidhje me vendosjen e paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme.

Përmes votës plebishitare në favor të reformës kushtetuese, populli turk parandaloi rrezikun që vendi të qeverisej edhe në të ardhmen nga koalicione të dobëta, jetëshkurtra dhe të papajtueshme. Pikërisht si pasojë e kësisoj qeverive, ekonomia turke është përballur me probleme serioze në periudhën mes viteve 1970-1990.

Çdo shtet ballafaqohet me sfidat e veta unike dhe nxjerr mësime nga e kaluara. Një nga mësimet më të rëndësishme të shekullit të 20-të për popullin turk është realiteti se stabiliteti politik ka rezultuar një forcë shtytëse për zhvillimin ekonomik dhe të gjithanshëm të vendit. Miliona turq votuan për një reformë, e cila do të garantojë të ardhmen e vendit për breza me radhë.

 

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme