Turqia reagon kundër PACE-së: Vendim i padrejtë, reflekton mungesën e largpamësisë së BE-së

Ankaraja zyrtare ka reaguar fuqishëm pas vendimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) mesditën e të martës për të përfshirë Turqinë në një mbikëqyrje politike...

Turqia reagon kundër PACE-së: Vendim i padrejtë, reflekton mungesën e largpamësisë së BE-së

Ankaraja zyrtare ka reaguar fuqishëm pas vendimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) mesditën e të martës për të përfshirë Turqinë në një mbikëqyrje politike.

Ministria e Jashtme turke dënoi ashpër “vendimin e padrejtë” të PACE-së për të vënë Turqinë në një listë monitorimi, duke shtuar se Ankaraja nuk ka më zgjidhje tjetër përveçse të rishqyrtojë marrëdhëniet e saj me këtë organ.

“Vendimi për të rifilluar procedurën e monitorimit të Turqisë, nën drejtimin e qarqeve qëllimkeqe në PACE, është një turp për këtë organ, i cili pretendon të jetë djepi i demokracisë”, theksoi MPJ turke përmes një komunikate me shkrim, ku tërhiqet vëmendja se ksenofobia dhe islamofobia janë “përhapur me dhunë” në të gjithë Evropën.

“Ky vendim i padrejtë është nxjerrë me motive politike duke përjashtuar proceduarat e përcaktuara që duhen ndjekur. Vendimi për monitorim ka injoruar gjithashtu bashkëpunimin konstruktiv, të cilin Turqia e ka vazhduar në mënyrë të pandërprerë madje edhe pas tentativës për grusht shteti (të 15 korrikut 2016 nga organizata terroriste guleniste). Ky është një vendim përjashtues, një operacion politik. Vendimi u shërben organizatave terroriste si FETO”, thuhet në komunikatën e MPJ-së turke, ku nënvizohet gjithashtu se vendimi në fjalë i PACE-së reflekton mungesën e largpamësisë së Bashkimit Evropian.

Turqia – vijon komunikata në fjalë – i fton deputetët e PACE-së, që votuan në favor të këtij vendimi, të demonstrojnë së pari maturi dhe arsye të shëndoshë, pastaj të përvetësojnë një qëndrim parimor dhe të marrin masa të përbashkëta për të mposhtur kërcënimin terrorist si një problem global; për të luftuar me sinqeritet kundër problemeve të lidhura me ksenofobinë, racizmin dhe islamofobinë si tumore në rritje; si dhe për të shpalosur një qëndrim të përgjegjshëm, i cili mbron të drejtat e njeriut në lidhje me menaxhimin e azilit dhe emigracionit.

“Pavarësisht këtij vendimi të padrejtë, politik dhe të anshëm të PACE-së, Turqia do të vazhdojë vendosmërinë për të zhvilluar të drejtat dhe liritë e qytetarëve të saj pa kurrfarë lëshimi në standardet demokratike, në të drejtat e njeriut dhe në besnikërinë ndaj përgjegjësive të saj në këtë fushë”, potencohet në fund të komunikatës së Ministrisë së Punëve të Jashtme në Ankara.

Presidenca: Vendimi i PACE-së për monitorimin e Turqisë, një operacion politik | TRT Shqip

"Vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) për të monitoruar sërish Turqinë është një operacion politik pa kurrfarë motivacioni dhe kuptimi", deklaruan të martën burime nga Presidenca turke...

Një tjetër reagim kundër vendimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka ardhur edhe nga kryekëshilltari i Presidencës së Republikës së Turqisë, Bulent Gedikli.

“Vendimi i PACE-së për të monitoruar sërish Turqinë është një operacion politik pa kurrfarë motivacioni dhe kuptimi. Ato, të cilat kanë me të vërtetë nevojë për monitorim, janë vetë shtetet anëtarë të Bashkimit Evropian”, u shpreh ai.

Gjatë votimit të realizuar në fund të seancës plenare të PACE-së me temë “Funksionimi i Institucioneve Demokratike në Turqi”, deputetët e pranishëm në sallë miratuan projektrezolutën për rikthimin e Turqisë në procesin e monitorimit, nga i cili ajo kishte dalë në vitin 2004.

Në këtë mënyrë, Turqia është përfshirë sërish në procesin e mbikëqyrjes politike, ku më herë kishte hyrë në vitin 1996 dhe dalë në 2004-n.

Turqia u bë gjithashtu vendi i parë i Evropës, i cili ka dalë dhe më pas është përfshirë sërish në procesin e monitorimit.

Vendimi u miratua me 113 vota “pro” dhe 45 “kundër”, ndërkohë që 12 parlamentarë abstenuan.

Në draftin e përgatitur nga dy raportueset e PACE-së për Turqinë, deputetja estonezja Marianne Mikko dhe ajo norvegjeze Ingebjorg Godskesen, kritikoheshin sidomos vendimet dhe zbatimet pas gjendjes së jashtëzakonshme, që u shpall në Turqi pas tentativës së FETO-s për grusht shteti, ndërsa pretendohej se “është cenuar funksionimi i institucioneve demokratike”.

Kurse në deklaratën e kreut të delegacionit turk në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Talip Kuçukcan, njëherësh deputet i Partisë AK nga zona elektorale e Adanasë, me cilësi kundërshtuese të raportit në fjalë, thuhej se ai vetë dhe projektrezoluta janë të mbushura plot me gabime, shpalosin një qasje diskriminuese kundër Turqisë dhe, nëse miratohen, PACE-ja do të humbasë vlerën e saj në opinionin publik turk.

Duke vënë në dukje se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës duhet të renditet përkrah Turqisë në luftën e saj kundër terrorizmit, Talip Kuçukcan theksonte se vendi i tij ishte në luftë me organizata terroriste të panumërta, me në krye FETO-n, PKK-në dhe DEASH-in, si dhe që zbatimet e cituara në raportin e dyshes Mikko- Godskesen ishin bërë të gjitha kundër këtyre kërcënimeve.



Lajme të ngjashme