Kalin: Referendumi i 16 prillit, një faqe e re në historinë politike moderne të Turqisë

Zëdhënësi dhe sekretari i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë, Ibrahim Kalin, deklaroi se një faqe e re është hapur në historinë politike moderne të Turqisë me referendumin kushtetues, që u mbajt të dielën...

Kalin: Referendumi i 16 prillit, një faqe e re në historinë politike moderne të Turqisë

Zëdhënësi dhe sekretari i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë, Ibrahim Kalin, deklaroi se një faqe e re është hapur në historinë politike moderne të Turqisë me referendumin kushtetues, që u mbajt të dielën.

Në analizën e tij me titull “16 prilli, një ditë historike për demokracinë turke”, publikuar në orët e para të së mërkurës në gazetën “Daily Sabah”, Ibrahim Kalin rikujton se miliona qytetarë turq përdorën të dielën votën e tyre plebishitare duke miratuar paketën e ndryshimeve kushtetuese, që përfshin edhe zëvendësimin e sistemit parlamentar me atë presidencial.

Pasi sqaron se në referendumin popullor, që u realizua me një pjesëmarrje të lartë rreth 86 për qind, në favor të fushatës “Po” kanë votuar 51,4 për qind e zgjedhësve; Kalin tërheq vëmendjen referendumi ka nxjerrë disa rezultate të rëndësishme dhe thekson që 16 prilli është një pikë kthese në historinë e demokracisë turke.

“Edhe pse Turqia ka gëzuar stabilitet politik që nga viti 2002 nën udhëheqjen e Presidentit Recep Tayyip Erdogan, gjithmonë ka ekzistuar rreziku që vendi të qeveriset nga koalicione jofunksionale në të ardhmen. Duke mbështetur reformën kushtetuese të dielën, turqit siguruan stabilitetin e ardhshëm të vendit të tyre”, shkruan zëdhënësi i Presidencës së Republikës së Turqisë.

Kur t’i drejtohet sërish kutive të votimit në vitin 2019 – nënvizon ai – populli turk do mund të përcaktojë Presidentin dhe Parlamentin e tij, që do të kenë drejtpërsëdrejti përgjegjësi karshi zgjedhësve të tyre.

Ibrahim Kalin tërheq vëmendjen se Presidenti, që do të zgjidhet si kreu i ekzekutivit, do të duhet të fitojë mbështetjen e shumicës së zgjedhësve për të drejtuar vendin me një mandat 5-vjeçar.

“Me sistemin e ri, Parlamenti i ardhshëm do të ketë kompetenca të thella kundër Presidentit, të tilla si miratimi i ligjeve, të cilat do të jenë të detyrueshme për degën ekzekutive, por edhe hetimi e madje fajësimi i Presidentit në detyrë. Me kontrollet dhe balancat në fuqi, si presidenti ashtu edhe parlamenti do të duhet të punojnë së bashku për një politikë të konsensusit për çështjet kyçe”, shprehet sekretari i përgjithshëm i Presidencës së Turqisë.

Një tjetër rezultat mjaft i rëndësishëm i votimit plebishitar të 16 prillit, sipas tij, është mbështetja e lartë, mbi parashikimet, e zgjedhësve në zonat me shumicë kurde të Turqisë për paketën e ndryshimeve kushtetuese.

“Sipas rezultateve jozyrtare, 50,8 për qind e votuesve mbështetën reformën kushtetuese në Mus, ku Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK) kishte marrë vetëm 24,8 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare të 2015-s. Një ndryshim i ngjashëm mund të vërehet gjithashtu në Diyarbakir, Siirt, Van e Mardin. Ndër të tjera, kjo tregon se zgjedhësit kurdë refuzojnë terrorizmin e PKK-së dhe politikat e Partisë Demokratike të Popujve (HDP) për të shfajësuar atë. Pjesa dërrmuese e kurdëve mbështesin reformat demokratike, investimet, rendin publik dhe luftën kundër PKK-së. Duke bërë një dallim shumë të qartë midis kurdëve dhe PKK-së, Presidenti Erdogan dhe qeveria kanë fituar sërish besimin e qytetarëve me origjinë kurde”, nënvizon Ibrahim Kalin.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Presidencës turke saktëson se duhet parë me kujdes që së fundmi media perëndimore dhe disa shtete evropiane e kanë humbur seriozisht kredibilitetin e tyre në Turqi.

“Ajo, që disa qeveri evropiane bënë gjatë fushatës së referendumit, shkaktoi reagim në opinionin publik turk dhe ngriti dyshime në lidhje me të ardhmen e marrëdhënieve tona me Evropën. Për të qenë i qartë, liderët evropianë jo vetëm u futën hundët në referendum duke mbështetur fushatën ‘Jo’, por edhe shkelën konventat diplomatike për të penguar mbështetësit e reformës kushtetuese, përfshi këtu edhe disa ministra turq, që të informojnë miliona votues turq që jetojnë jashtë vendit”, vijon ai.

Siç shkruan Kalin, misioni vëzhgues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) dhe i Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), institucioni kryesor i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), duket se vuan nga i njëjti problem.

“Të hënën, misioni lëshoi raportin e tij paraprak për të sugjeruar se ‘aspektet teknike të referendumit janë administruar mirë’ teksa pretendon që fushata (elektorale) nuk është realizuar në kushte të barabarta. Ndërkohë, u zbulua se disa anëtarë të misionit janë haptazi mbështetës të PKK-së, të cilën Turqia dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë një organizatë terroriste, në mediat sociale. Kjo gjë vë seriozisht në pyetje sinqeritetin dhe paanësinë e tyre”, përfundon zëdhënësi dhe sekretari i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë, Ibrahim Kalin.



Lajme të ngjashme