Çavushollu: Jemi të vendosur të përforcojmë marrëdhëniet me Rusinë në shumë fusha

Ministri i Jashtëm Mevlyt Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) bëri të ditur se procesi i Astanës do të vazhdojë të menaxhohet dhe do të jenë më të vendosur deri në arritjen e zgjidhjes politike në Siri.

Çavushollu: Jemi të vendosur të përforcojmë marrëdhëniet me Rusinë në shumë fusha

 

Çavushollu bëri vlerësime në lidhje me rendin e ditës në Allanja të rrethit Antalja.

Ministri turk bëri të ditur se marrëdhëniet me Rusinë i kanë rikthyer në nivelin e ditëve të dikurshme dhe do ti forcojnë edhe më shumë duke nxjerrë mësime nga ngjarjet e hidhura.

Ai nënvizoi se me Rusinë janë duke realizuar projekte të mëdha si gazsjellësi “Rrjedha Turke” e Akuju (centrali bërthamor në Akkuyu) dhe janë duke punuar për ti përforcuar marrëdhëniet edhe në fusha të tjera.

Ai tha se për sigurimin e armëpushimit në Siri, transportin e ndihmave humanitare dhe çështjen e zgjidhjes politike, Turqia dhe Rusia janë dy vendet që po punojnë me më shumë vendosmëri.

“Veçanërisht përpjekjet e 6 muajve të fundit siguruan disa zhvillime pozitive në Siri. Ne do të vazhdojmë të menaxhojmë procesin e Astanës. Ne do të jemi më të vendosur për procesin e zgjidhjes politike. Sepse nëse Turqia dhe Rusia do të veprojnë së bashku, nuk zhvillohen vetëm marrëveshjet dypalëshe, por kjo do të kontribuojë edhe në zgjidhjen e problemeve rajonale”,- tha Çavushollu.

Ministri i Jashtëm theksoi gjithashtu se dëshirojnë të mirëpresin akoma më shumë mysafirë rusë në Allanja dhe Antalja dhe në lidhje me fluturimet ‘charter’ nuk ka asnjë problem, shtoi ai

Çavushollu u shpreh se kompanitë ruse të sigurimeve shëndetësore po zhvillojnë punimet në lidhje me përfitimin e nënshtetasve rusë nga shëndetësia në Turqi dhe Antalya. Në konferencën e turizmit shëndetësor dhe sportiv të organizuar për herë të parë në Antalja u arrit marrëveshja për kurimin e 20 mijë nënshtetasve rusë.

Çavushollu tërhoqi vëmendjen se në lidhje me nënshtetësinë e dyfishtë për nënshtetasit rusë në ligjet e Turqisë nuk ka asnjë pengesë.

“Nënshtetasve të të gjitha vendeve ne u njohim të drejtën e dy nënshtetësive. Rusia ka kushte për disa aplikime për nënshtetësi, por këtë mund ta zgjidhim në vijim duke biseduar me miqtë tanë rus. Ne dëshirojmë që nënshtetasit rusë të hyjnë në Turqi me karta identiteti. Në lidhje me këtë çështje kemi biseduar disa herë (me rusët) para ngjarjes së hidhur (rrëzimit të avionit),- tha Çavushollu.

Ai bëri të ditur se me Ukrainën kanë nënshkruar protokollin për hyrje në Turqi pa pasaportë dhe këtë verë ukrainasit do të kenë mundësi të vijnë në Turqi vetëm me kartën e identitetit. Një sukses të tillë e kemi arritur edhe me Gjeorgjinë, u shpreh ministri i Jashtëm duke nënvizuar se kanë nisur negociatat edhe me Rusinë në lidhje me këtë çështje (për hyrjen e shtetasve rusë me kartë identiteti në Turqi) dhe besojnë se do të arrijnë një rezultat të suksesshëm. 

Ai theksoi se nga një Turqi e fuqishme nuk do të dëmtohet asnjë vend, madje e kundërta, nga kjo do të përfitojë edhe rajoni, por disa vende Perëndimore dhe të Evropës u pëlqen shumë që të përzihen në punët e brendshme të Turqisë dhe kjo vjen ngaqë nuk janë shëruar dot nga një sëmundje shumëvjeçare.

Çavushollu bëri të ditur se këto vende e shohin veten si “pronar” të të gjitha vendeve të tjera.

“Këto vende nuk heqin dorë nga këto zakone. Pavarësisht se në Evropë kemi 5 milionë nënshtetas turq, ne nuk mbajmë anën e askujt në zgjedhjet që mbahen në këto vende. Ndërkohë atyre nuk u vjen mirë nga marrëdhëniet që ne zhvillojmë me Rusinë”,- tha Çavushollu.

Ai shpjegoi se terroristët nuk duhet të jenë as në tokat e Turqisë, as në të Rusisë dhe të asnjë vendi, pasi terrori është kërcënim për të gjithë.

“Terrorizmi është krim ndaj njerëzimit. Në luftën kundër terrorizmit ne do të përforcojmë bashkëpunimin me Rusinë. Specialistët e të dy vendeve kanë filluar të takohen më shpesh”,- u shpreh ministri i Jashtëm Mevlyt Çavushollu.



Lajme të ngjashme