Erdogan-Putin bisedojnë në telefon për sulmin kimik në Siri

Në lidhje me përdorimin e armëve kimike ndaj civilëve në qytetin Idlib të Sirisë, Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha se këto lloj sulmesh janë të papranueshme...

Erdogan-Putin bisedojnë në telefon për sulmin kimik në Siri

Presidenti Erdoan ka realizuar një bisedë telefonike me Kryetarin e Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin.

Sipas burimeve pranë Presidencës në këtë bisedë telefonike Erdoan i tha Putinit se ndjen një keqardhje të thellë për sulmin terrorist në metronë e Shën-Petërburgut dhe i përcolli ngushëllimet Putinit dhe të gjithë popullit rus.

Me këtë rast Presidenti Erdoan me Putinin bisedoi edhe mbi përdorimin e armëve kimike në një sulm të kryer sot në mëngjes ndaj civilëve në qytetin Idlib të Sirisë.

Këto lloj sulmesh ç’njerëzore janë të papranueshme, u shpreh Erdoan duke nënvizuar se këto zhvillime janë të rrezikshme, pasi mund të çojnë dëm të gjithë mundin e harxhuar deri më tani në kuadër të procesit të Astanës (bisedime e zhvilluara në kryeqytetin e Kazakistanit për ndalimin e konfliktit të armatosur dhe procesin e tranzicionit politik në Siri).

Të dy liderët vunë theksin në rëndësinë që ka forcimi edhe më shumë i bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit dhe nënvizuan domosdoshmërinë e vazhdimit të përpjekjeve të përbashkëta për mbijetesën e armëpushimit të brishtë në Siri.

Nga ana tjetër Erdoan i dërgoi Putinit edhe një mesazh ngushëllimi për shpërthimin në metronë e Shën-Petërburgut.

Në mesazhin e tij Erdoan shkruan se e ka mësuar me një keqardhje të madhe lajmin për viktimat dhe të plagosurit e shumtë në sulmin që ndodhi në metronë e Shën-Petërburgut, ndërkohë që në qytet gjendej edhe Putini.

“Dua të them se Turqia është pranë Rusisë përballë sulmeve të tilla terroriste. Si një vend që lufton për vite me terrorizmin, ne e kuptojmë më së miri dhimbjen tuaj. E dënojmë këtë sulm të tmerrshëm”, shkruan Erdoan në mesazhin e tij, ku përcjell ngushëllimet për familjet dhe të afërmit e viktimave si dhe popullin e Rusisë, ndërsa uron shërim sa më të shpejtë për të plagosurit.



Lajme të ngjashme