Yildirim: Evropa bën armiqësi kundër Turqisë, mbron PKK-në dhe FETO-n

Kryeministri Binali Yildirim, deklaroi të dielën se vendet evropiane po bëjnë armiqësi kundër Turqisë duke marrë nën mbrojtje vatra djallëzore si PKK-ja dhe organizata terroriste guleniste (FETO)...

704374
Yildirim: Evropa bën armiqësi kundër Turqisë, mbron PKK-në dhe FETO-n

Kryeministri Binali Yildirim, deklaroi të dielën se vendet evropiane po bëjnë armiqësi kundër Turqisë duke marrë nën mbrojtje vatra djallëzore si PKK-ja dhe organizata terroriste guleniste (FETO).

Shefi i Ankarasë zyrtare u takua në një darkë në qytetin Kayseri me liderë të opinionit publik dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Binali Yildirim theksoi se vendet evropiane po mbajnë anë haptazi në referendumin e 16 prillit për ndryshime kushtetuese dhe po bëjnë përpjekje intensive që rezultati të dalë negativ.

“FETO-ja, PKK-ja, DAESH-i, Evropa dhe disa vende janë bashkuar rreth një tavoline me synimin e vetëm për t’i dhënë shtytje fushatës për votën ‘Jo’. Kjo është mjaft domethënëse. Përse u intereson evropianëve ky ndryshim kushtetues? Mos vallë janë evropianë ata që do të votojnë në referendumin tonë për ndryshime kushtetuese? Pse këta renditen përkrah FETO-s dhe PKK-së?”, pyeti kryeministri turk në formë reagimi ndaj qëndrimit evropian në lidhje me Turqinë dhe referendumin e 16 prillit.

Ai nënvizoi gjithashtu se të gjitha qarqet, të cilat nuk duan kurrsesi që Turqia të rritet ekonomikisht dhe të zhvillohet, s’njohin asnjë lloj kufiri në fushatën e tyre antiturke.

“Shikojeni Evropën; në rrugë ka fotografi të kreut separatist! Rrugët e saj janë mbushur plot e përplot me simpatizantë dhe përkrahës të PKK-së e FETO-s dhe askush nuk pipëtin. Ndërsa për zyrtarët, deputetët dhe ministrat tanë, që shkojnë nga Turqia për t’u takuar me emigrantët dhe atdhedashësit tanë atje, portat janë të mbyllura. Kështu, ne pamë edhe një tjetër herë fytyrën e vërtetë të atyre, që prej vitesh na këshillonin në lidhje me vlerat evropiane”, u shpreh Yildirim.

Më tej, kreu i ekzekutivit tërhoqi vëmendjen se Turqia është tashmë një vend i fuqishëm në rajon, por kjo nuk mjafton, pasi ajo është e detyruar të fuqizohet akoma më shumë dhe qëndrojë e fuqishme përherë.

Duke potencuar se Turqia ka pasur një pozitë shumë strategjike në çdo periudhë të historisë, Binali Yildirim vijoi me këto fjalë: “Këto territore formojnë ato rajone, të cilat kanë ndryshuar ecurinë e botës dhe rrjedhën e historisë. Turqia duhet të qëndrojë në këmbë e palëkundur në të gjitha këto rrethana. Duke qenë se edhe vatrat djallëzore e dinë mirë këtë gjë, ato përpiqen me të gjitha forcat që Turqia të mos bëjë hapa për të ndërtuar të ardhmen.

Ky ndryshim kushtetues – vijoi Kryeministri Yildirim – është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse do të eliminojë të gjitha tutelat dhe populli do të bëhet padron mbi gjithçka.



Lajme të ngjashme