Yildirim: Operacioni “Mburoja e Eufratit” ka mbaruar

Në përgjigje të pyetjeve të një televizioni privat në lidhje me aktualitetin Kryeministri Jëlldërëm njoftoi përfundimin e operacionit “Mburoja e Eufratit”, i filluar në 24 gusht 2016 për spastrimin e veriut të Sirisë nga elementët terrorist.

Yildirim: Operacioni “Mburoja e Eufratit” ka mbaruar

Të mërkurën në mbrëmje Kryeministri Binali Jëlldërëm (Binali Yıldırım) dha një reportazh ekskluziv për një televizion privat, ku iu përgjigj pyetjeve në lidhje me aktualitetin.

Kryeministri Jëlldërëm tha se operacioni “Mburoja e Eufratit”, i filluar në 24 gusht të vitit të kaluar nën drejtimin e Turqisë për spastrimin e veriut të Sirisë nga elementët terroristë, ka mbaruar, kurse një operacion tjetër që do të bëhet këtej e tutje në rast nevoje,- vijoi ai,- do të përmendet me një emër tjetër.

Me pastrimin e al-Babit nga terroristët në kuadër të operacionit “Mburoja e Eufratit” është vendosur kontrolli në një territor me sipërfaqe 2 mijë e 15 kilometra katrorë, ku janë vendosur sirianët që kanë shkuar atje nga Turqia dhe jeta këtu i është kthyer normalitetit,- shtoi Kryeministri.

Pasi përmendi faktin që shtetet e njohura si aleate të Turqisë furnizojnë me armë PYD/YPG-në, e cila është zgjatimi i organizatës terroriste separatiste PKK në Siri, Kryeministri Jëlldërëm tha se kjo përbën kërcënim për sigurinë e brendshme dhe të jashtme të Turqisë.

Kryeministri Jëlldërëm e cilësoi si jo etike bashkëpunimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) me një organizatë terroriste në lidhje me operacionin e Rakës, duke shtuar se kjo nuk i ka hije Amerikës.

Duke iu referuar tensionit me flamurin në Kirkuk, Kryeministri tha: “Kirkiku është një qytet brenda tërësisë territoriale të Irakut. Kështu që këtu kemi të bëjmë me një veprim të natyrës “fakt i kryer”. Qeverisja Rajonale Kurde e Irakut me një “fakt të kryer” tha që kjo zonë (Kirkiku) është pjesë e qeverisjes time. Sipas kushtetutës së Irakut kjo është një situatë de fakto dhe është në kundërshtim me kushtetutën. Këtu nuk është marrë pëlqimi i turkmenëve dhe arabëve. Veprimi i kryer këtu (në Kirkuk) në aspektin tonë është i gabuar dhe ne kemi ndërmarrë nismat tona”.

Në vlerësimin që u bëri marrëdhënieve ndërmjet Turqisë dhe Bashkimit Evropian (BE) Jëlldërëm tha se kohët e fundit kemi një rritje të islamofobisë në Evropë.

“Po digjen xhamitë, në mure vizatohet kryqi nazist. Gjermania me Holandën, vende që nuk u vjen mirë nga përdorimi i fjalës “nazist”, duhet të mbajnë një qëndrim më të prerë përballë këtyre ngjarjeve”, tha Jëlldërëm.

Ksenofobia, turkofobia dhe islamofobia në Evropë do ta vështirësojnë në të ardhmen një bashkëudhëtim të Turqisë me Evropën, paralajmëroi Jëlldërëm duke shtuar se për këto çështje me BE-në do të bisedohet pas referendumit të 16 prillit që do të mbahet në Turqi.

Evropa do të humbasë shumë gjëra nëse i prish marrëdhëniet me Turqinë, tha Jëlldërëm dhe shtoi: “ajo që duhet të bëjë BE-ja është të distancohet nga Organizata Terroriste Gyleniste Struktura Paralele në Shtet (FETO/PDY), PKK-ja dhe organizatat e tjera majtiste që kryejnë veprimtari armiqësore kundër Turqisë”.

Jëlldërëm foli edhe për këmbimin e informacionit ndërmjet shërbimeve sekrete të Turqisë dhe Gjermanisë. “Nuk është etike ajo që ka bërë shërbimi sekret gjerman, që nxori informatat që i kishte dhënë shërbimi sekret turk në lidhje me FETO-n”,- u shpreh Jëlldërëm.

“Kohët e fundit vendet evropiane, me në krye Gjermaninë, po mbajnë hapur një qëndrim dashamirës ndaj organizatave armike të Turqisë dhe po ndërhyjnë në punët tona të brendshme duke mbajtur qëndrim të njëanshëm në drejtim të mos-miratimit të ndryshimeve kushtetuese në referendumin e 16 prillit”, nënvizoi Kryeministri.

Kurse në lidhje me mos-bërjen e ndonjë rekomandimi në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare (MGK) për afatin e gjendjes së jashtëzakonshme (OHAL) Kryeministri Jëlldërëm tha: “OHAL nuk është diskutuar në MGK, pasi nuk është pjesë e agjendës. Deri në 19 prill merret një vendim edhe në lidhje me këtë çështje”.



Lajme të ngjashme