Adana – Arrestohet një terrorist sirian, rekrutonte evropianë për DAESH-in

Një terrorist sirian, që rekrutonte nga Evropa pjesëtarë për organizatën terroriste DAESH, është kapur në qytetin Adana, në jug të Turqisë...

701704
Adana – Arrestohet një terrorist sirian, rekrutonte evropianë për DAESH-in

Një terrorist sirian, që rekrutonte nga Evropa pjesëtarë për organizatën terroriste DAESH, është kapur në qytetin Adana, në jug të Turqisë.

Identifikuar si anëtar i kuadrit drejtues të DAESH-it, Safwan Qahwati u kap teksa udhëtonte me autobus i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

Hetimet e përbashkëta të Policisë së Adanasë dhe Shërbimit Informativ Kombëtar (MIT) konstatuan se Qahwati ka hyrë në Turqi nga rrethi Hatay përmes territoreve siriane, më datë 15 mars, për të rekrutuar anëtarë nga vendet evropiane.

Policia e ndaloi çiftin Qahwati gjatë udhëtimin me autobus në rrugën Tarsus-Adana-Gaziantep dhe dyshon se plani i terroristit ishte të shkonte në Evropë përmes Stambollit.

Safwan Qahwati u dërgua në Drejtorinë e Policisë së Adanasë, ku u mor në pyetje nga ekspertë, ndërsa bashkëshortja e tij u deportua menjëherë.

Terroristit i janë kapur me vete edhe shumë materiale digjitale e fotografi të bëra në vende të ndryshme, ku ai shfaqet me armë dhe sasi të konsiderueshme parash.

Një tjetër fotografi tregon Qahwatin e maskuar duke i vendosur thikën në fyt një personi të paidentifikuar.

Burimet policore theksojnë se unaza e mbajtur nga terroristi në një nga fotografitë e sipërcituara përdoret si vulë nga krerët e DAESH-it.

Është konstatuar se terroristi në fjalë, që pretendohet të ketë trajnuar anëtarët evropianë të DAESH sesi të përdorin armët dhe mjetet shpërthyese, ka lidhje të ngushta me Mahamad Laban (45 vjeç) dhe Mohammed Tefik Saleh (35 vjeç), i pari shtetas danez me origjinë libaneze dhe i dyti shtetas suedez me origjinë irakiane, dy nga drejtuesit e organizatës terroriste që janë arrestuar në Adana, më datë 10 shkurt.

Pas procedurave në Drejtorinë e Policisë, Safwan Qahwati u dërgua në Pallatin e Drejtësisë së Adanasë dhe u arrestua.



Lajme të ngjashme