Stamboll – Prokuroria nis hetimin për pankartën skandaloze të PKK-së në Bernë

Prokuroria e Stambollit nisi të hënën një hetim të gjithanshëm në lidhje me pankartën, e cila vinte në shënjestër Presidentin Recep Tayyip Erdogan, hapur në kryeqytetin Bernë të Zvicrës nga disa grupe terroriste, mes tyre edhe PKK-ja...

Stamboll – Prokuroria nis hetimin për pankartën skandaloze të PKK-së në Bernë

Prokuroria e Stambollit nisi të hënën një hetim të gjithanshëm në lidhje me pankartën, e cila vinte në shënjestër (të pistoletës) Presidentin Recep Tayyip Erdogan, hapur në kryeqytetin Bernë të Zvicrës nga disa grupe terroriste, mes tyre edhe organizata separatiste terroriste PKK.

Në kuadër të këtij hetimi, filluar nga Zyra e Antiterrorizmit dhe Krimit të Organizuar pranë Prokurorisë së Stambollit, Policisë së Stambollit iu kërkua zyrtarisht identifikimi i personave, që kanë hapur pankartën në fjalë.

Veprat penale të përfshira në këtë hetim janë “propagandë në favor të organizatës terroriste”, “anëtarësim në organizatën terroriste” dhe “fyerje e presidentit”.

Një hetim në lidhje me pankartën skandaloze ka nisur edhe Prokuroria e Distriktit Bern-Mitteland të Kantonit Bernë, në Zvicër.

Reto Nause, drejtor i Sigurisë së Bernës, sqaroi një ditë më parë se hetimi kishte filluar pasi nuk ishin përmbushur kushtet e autorizimit për mitingun e grupeve terroriste.

Edhe pse hetimi në Zvicër ka nisur, deri tani nuk është bërë ende asnjë ndalim apo arrestim në lidhje me pankartën skandaloze.

Mitingu në fjalë, organizuar të shtunën përpara selisë së Parlamentit falë një lejeje zyrtare të autoriteteve zvicerane, u mbështet gjithashtu nga disa forca politike zvicerane si Partia Socialiste dhe Partia e të Gjelbërve.

Nga ana tjetër, përmes një komunikate me shkrim, Ministria turke e Punëve të Jashtme “protestoi lejimin e manifestimit, që nxit haptazi dhunën dhe terrorizmin”, duke kërkuar që të merren urgjentisht masat ligjore karshi veprës penale në fjalë.

Po ashtu, MPJ turke thërriti ambasadorin zviceran në Ankara, Walter Haffner, të cilit i shprehu shqetësimin e saj në lidhje me lejimin në Bernë të mitingut të simpatizantëve të organizatës terroriste, që morën në shënjestër Presidentin Recep Tayyip Erdogan.

Burimet diplomatike theksojnë se ambasadorit Haffner iu komunikua se Ankaraja pret që autorët e kësaj vepre penale të identifikohen, të nxirren përpara drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar pa humbur kohë, si dhe që të merren masat e nevojshme që incidente të këtilla të mos përsëriten më këtej e në vijim.



Lajme të ngjashme