Bozdag: Kushdo, që punon kundër Turqisë, është i mirëseardhur në Evropë

Ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozdag, bëri me dije të martën se do të bisedojë me sekretarin amerikan të Drejtësisë, Jeff Sessions, për ekstradimin e Fethullah Gulenit, lider i organizatës terroriste guleniste (FETO).

Bozdag: Kushdo, që punon kundër Turqisë, është i mirëseardhur në Evropë

I ftuar në rubrikën “Tryeza e Redaktorëve” të Agjencisë Anadolli (AA), Bekir Bozdag theksoi se kjo çështje do të trajtohet gjatë bisedës telefonike, që ai do të realizojë mbrëmjen e të martës me homologun e tij amerikan.

Bozdag sqaroi se ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, i cili po qëndron në Uashington për takimin e shefave të diplomacisë së vendeve anëtare të koalicionit ndërkombëtar kundër DAESH-it, do të ketë gjithashtu të martën disa kontakte në kryeqytetin amerikan dhe në këtë suazë do të takohet me Jeff Sessions për t’i shpjeguar atij drejtpërsëdrejti ndjeshmërinë dhe pritmën e Turqisë në lidhje me çështjen në fjalë.

“Turqia pret nga administrata re amerikane një qasje të re për ekstradimin e Gulenit. Kemi shprehur në çdo rast se shpresojmë shumë dhe presim që të ketë një praktikë ndryshe. Urojmë që të dalë një rezultat siç e dëshirojmë ne”, tha ministri turk i Drejtësisë.

Nga ana tjetër, Bekir Bozdag deklaroi se lejimi i tubimeve të mbështetësve të organizatës terroriste PKK kohëve të fundit në Gjermani është edhe një tjetër tregues se në vendet perëndimore janë të mirëseardhur të gjithë ata, që punojnë kundër Turqisë, përfshi këtu puçistët dhe separatistët e FETO-s dhe PKK-së.

Ai dënoi veprimet e Holandës dhe Gjermanisë, shtete që nuk lejuan ministrat turq të takohen me diasporën turke dhe në të njëjtën kohë autorizuan tubime të përkrahësve të PKK-së, organizatë kjo që është në listën e Bashkimit Evropian për grupet terroriste.

“Nga mesi i vitit 2007 deri në 2017-n, Turqia ka kërkuar nga Gjermania dhe shtetet e tjera anëtare të BE-së ekstradimin e 443 personave, që të gjithë të lidhur me terrorizmin. Deri më tani kanë ekstraduar vetëm 12 të kërkuar. Vetëm nga Gjermania kemi kërkuar ekstradimin e 177 personave dhe ata kanë ekstraduar vetëm 2 prej tyre. Nga Holanda kemi kërkuar ekstradimin e 11 personave dhe kanë ekstraduar vetëm një prej tyre. Kurse Austria dhe Franca nuk kanë ekstraduar asnjë person”, tha Bozdag.

Ministri Bozdag tërhoqi vëmendjen me këtë rast se veprimi i policisë holandeze kohëve të fundit, ndalimi i hyrjes në konsullatën turke në Roterdam dhe dëbimi i ministres turke të Familjes dhe Çështjeve Sociale, Fatma Betul Sayan Kaya, është sjellje e papranueshme e autoriteteve ligjore të Holandës dhe shkelje e rëndë e Konventës së Vjenës, e cila rregullon normat e diplomacisë.



Lajme të ngjashme