Palestina zhvillohet me projektet e TIKA-s

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) që nga viti 2005, q kur ka hapur zyrë në Palestinë, ka realizuar deri më tani rreth 400 projekte të ndryshme sipas nevojave të palestinezëve

Gazze'de yıkılan camileri Türkiye ayağa kaldırdı.jpg
gazze yardım.jpg
gazze_yardim.jpg
gazze afad.jpg

Me afro 400 projekte të realizuara në dhjetë vitet e fundit, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) u përgjigjet nevojave të palestinezëve.

Përmes Zyrës në Palestinë që ka hapur në vitin 2005, TIKA ka realizuar 389 projekte në fusha si arsimi, shëndetësia, ndihma e parë, uji dhe shëndeti publik, sektori i prodhimit, si dhe në ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët historike dhe forcimin e infrastrukturës administrative dhe civile.

Prej këtyre projekteve, 195 janë realizuar në Bregun Perëndimor dhe 71 në Jerusalemin Lindor, vende këto nën okupim, ndërkohë që 123 janë realizuar në Rripin e Gazës, i cili gjendet nën bllokadë.

TIKA, e cila çdo vit përçon te populli palestinez përvojën e Turqisë dhe dorën e ndihmës përmes dhjetëra projekteve, zhvillon edhe projekte gjigante, të cilat janë pranë përfundimit, siç është një spital modern me 180 shtretër në Gaza dhe ndërtimi i vendbanimit kolektiv me 320 apartamente.

Në kuadër të projekteve infrastrukturore sociale në Palestinë, TIKA zhvillon shumë punime në fusha të ndryshme, të cilat kanë për qëllim mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile, fuqizimin e statusit të gruas dhe kontributin në aktivitete shoqërore dhe sport.

Spitali modern me 180 shtretër do të hapet këtë vit

Në fushën e shëndetësisë, nga ana tjetër, TIKA vazhdon aktivitetet në shumë fusha, duke filluar nga ndërtimi i spitaleve deri te mbështetja e ekipit mjekësor, nga trajnimi profesional i personelit shëndetësor e deri te dhurimi i ambulancave dhe realizimi i ndërhyrjeve kirurgjike.

Spitali në Rripin e Gazës i emëruar "Spitali i Miqësisë Palestinë-Turqi", i cili pritet të kushtojë 62 milionë dollarë, planifikohet të hapet këtë vit. Ky institucion shëndetësor, i cili përbëhet prej dhjetë bllokësh dhe i cili do të marrë titullin "spitali më i madh dhe më modern në Palestinë", do të ketë kapacitet prej 180 shtretërve.

Në këtë mënyrë, palestinezët që jetojnë nën bllokadë në Rripin e Gazës, do të fitojnë mundësinë për të marrë shërbime shëndetësore moderne në vendin e tyre. Në sulmet izraelite në Gaza në vitin 2014, qindra të plagosur ishin detyruar të dalin jashtë vendit për shërim, kurse 123 prej këtyre ishin trajtuar në Turqi.

Edhe spitali me 30 shtretër në qytetin Tubas të Bregut Perëndimor që ofron shërbime prej pesë vitesh dhe që është spitali më modern i vendit, renditet në mesin e spitaleve që TIKA ka mundësuar për Palestinën.

Vendbanimi kolektiv me 320 departamente në Gaza

Me projektin e vendbanimit kolektiv prej 320 apartamentesh, ndërtimi i të cilit po vazhdohet nga TIKA dhe i cili do të kushtojnë 13 milionë dollarë, do të sigurohet mundësi strehimi për qindra familje, të cilëve u rrënuan shtëpitë gjatë sulmeve izraelite. Ndërtesat kolektive të ndërtuara në sipërfaqe prej 20 mijë metrash katrorë në fshatin "Vadi Gaza", do të përbëhen nga 20 pallate.

Ndërkaq, së shpejti planifikohet përfundimi dhe shpërndarja e këtyre projekteve të mëdha për familjet palestineze, të cilat atyre do t'u ofrojnë mundësi strehimi.

Në Bregun Perëndimor janë hapur 6 shkolla

Në sferën e arsimit, TIKA vazhdon projektet në Palestinë në shumë drejtime, siç janë ndërtimi i shkollave të reja, riparimi i shkollave aktuale, themelimi i laboratorëve kompjuterikë, shpërndarja e bursave dhe hapja e departamenteve të turkologjisë nëpër universitete.

TIKA, e cila është nisur me sloganin "Nga një shkollë në secilin qytet palestinez", deri më tani ka hapur gjashtë shkolla në qytete të ndryshme të Palestinës, në të cilat arsimin e ndjekin mijëra palestinezë. Shkolla katërkatëshe dhe me 14 klasa "Shkolla Turke al Halil", e ndërtuar në qytetin më të madh të Bregut Perëndimor, Hebron (al Halil), është shkolla më moderne e qytetit me kapacitet prej 550 nxënës.

Edhe "Shkolla e Vajzave Nuri Pakdil", e ndërtuar në qytetin e dytë më të madh palestinez, Nablus, shkollë kjo e cila ka 18 klasa, dy laboratorë kompjuterikë, tre zyra për drejtorinë dhe një depo, gjendet në mesin e shkollave të ndërtuara nga TIKA.

Në Gaza është ndërtuar fabrika më moderne për prodhimin e vajit të ullirit

Me projektet në sektorin e prodhimit, TIKA i ka sjellë në gjendje më funksionale resurset, të cilat i posedon populli palestinez. Në sajë të kësaj, TIKA përçon deri te populli palestinez përvojën e Turqisë në këtë fushë, duke kontribuar në ekonominë palestineze.

Një nga burimet kryesore të jetesës së palestinezëve, të cilët posedojnë toka pjellore, është bujqësia. TIKA, e cila po ashtu mbështet edhe zhvillimin e bujqësisë në Palestinë, në Gaza ka themeluar fabrikën për Prodhimin e Vajit të Ullirit Abasan, duke e vënë atë në shërbim të fermerëve të Gazës.

Në mesin e ndihmave që TIKA ka siguruar për bujqit palestinezë për mbështetjen e zhvillimit bujqësor në Rripin e Gazës, gjenden edhe mjete bujqësore, siç janë dhjetë traktorë, dhjetë plugje, dy makina shpimi, dy kombajna dhe pesë kultivatorë.

Shërbimet kulturore

Në Palestinë, e cila ndan trashëgimi të përbashkët historike me Turqinë, vazhdojnë punimet për ruajtjen e monumenteve të ngelura nga periudha osmane dhe për përçimin e tyre deri te brezat e ardhshëm.

Në mesin e këtyre bëjnë pjesë restaurimi i Gjysmëhënës së Kubbet-us-Sahra-së (Kubeja e Shkëmbit), e cila gjendet në kompleksin e Xhamisë al-Aksa dhe e cila është e praruar, dhe ai i kullës së sahatit të ndërtuar nga Sulltani Abdylhamidi II në Nablus. Krahas kësaj, për prezantimin më të mirë të Xhamisë Aksa, TIKA ka bërë botimin e udhërrëfyesve dhe librave në gjuhën turke, arabe dhe angleze.

Për të bërë studime dhe punime në lidhje me çështjen palestineze dhe tema që kanë të bëjnë me luftën arabo-izraelite, TIKA po ashtu ka marrë përsipër financimin e shtypjes së gjithsej 3.500 librave, edhe atë 2.500 libra në gjuhën arabe që përshkruan marrëdhëniet turko-palestineze dhe që është përgatitur nga "House of Wisdom" (Bejtu'l-Hikme/Shtëpia e Urtësisë) dhe një mijë libërtha të përgatitur po ashtu në gjuhën arabe dhe që mbështet tezat e Turqisë në lidhje me ngjarjet armene të vitit 1915.

U rigjallërua Festivali Nebi Musa

Festivali Nebi Musa, i cili ishte nisur në vitin 1187 nga komandanti mysliman Selahaddin Ejubi për të treguar forcën e myslimanëve dhe i cili përfundoi me okupimin e Jerusalemit Lindor në vitin 1967, që nga viti 2014 po rigjallërohet me mbështetjen e TIKA-s.

Gjithashtu, TIKA ka siguruar edhe pajisjet për zyrën e "Shoqatës së të Diplomuarve Palestinezë në Turqi", e themeluar me mbështetjen dhe iniciativën e TIKA-s me qëllim solidarizimin mes palestinezëve të diplomuar nga universitetet në Turqi dhe zhvillimin e miqësisë mes dy shteteve përmes aktiviteteve kulturore.

Në mesin e ndihmave të TIKA-s për popullin palestinez, gjenden edhe 50 karroca për invalidë të shpërndara për nevojtarët vitin e kaluar me pjesëmarrjen edhe të presidentit palestinez Mahmud Abbas, dhe furnizimet njëmujore të shpërndara gjatë muajit të Ramazanit.



Lajme të ngjashme