Yildirim: BE-ja të bëjë një zgjedhje dhe të rishikojë marrëdhëniet me Turqinë

“Bashkimi Evropian duhet të bëjë një zgjedhje dhe do të rishikojë prej fillimit marrëdhëniet me Turqinë; nuk ka rrugë tjetër për këtë”, deklaroi të martën në mbrëmje Kryeministri turk, Binali Yildirim...

691839
Yildirim: BE-ja të bëjë një zgjedhje dhe të rishikojë marrëdhëniet me Turqinë

“Bashkimi Evropian duhet të bëjë një zgjedhje dhe do të rishikojë prej fillimit marrëdhëniet me Turqinë; nuk ka rrugë tjetër për këtë”, deklaroi të martën në mbrëmje Kryeministri turk, Binali Yildirim.

Shefi i Ankarasë zyrtare iu përgjigj pyetjeve në lidhje me rendin e ditës gjatë një transmetimi direkt të përbashkët të 3 kanaleve televizive private.

Binali Yildirim nënvizoi se janë vetë shtetet evropiane ato që duhet të bëjnë përpjekje për të rregulluar sërish marrëdhëniet e Turqisë me Evropën dhe për t’i rivendosur ato në binarët e dikurshëm.

Vlerat evropiane – tha kryeministri turk – janë demokracia, të drejtat e njeriut dhe liria e shprehjes, por këto nuk duken në praktikë.

“Përpara ose pas zgjedhjeve, Bashkimi Evropian duhet të bëjë një zgjedhje dhe do të rishikojë prej fillimit marrëdhëniet me Turqinë; nuk ka rrugë tjetër për këtë”, u shpreh ai.

Sa i përket Marrëveshjes së Ripranimit të Refugjatëve, Yildirim theksoi se po të merret në konsideratë pozita gjeografike e Turqisë, roli i saj dhe zhvillimet në rajon, Evropa duhet të mendojë mirë se çfarë kërcënimesh po i kanosen.

Kreu i ekzekutivit turk tërhoqi vëmendjen se elementi më i rëndësishëm, që lidh me njëra-tjetrën Turqinë dhe vendet evropiane, është ekzistenca e bashkëkombësve tanë që jetojnë në Evropë, pasi ata formojnë një urë miqësie ndërmjet Evropës dhe Turqisë.

“E parë në këtë aspekt, tensionimi i marrëdhënieve është padyshim në dobinë tonë, por jo në të mirë të Evropës, e cila do të ketë më shumë dëme. Mirë është që të dihet edhe kjo gjë”, sqaroi kryeministri.

Më tej, duke vlerësuar krizën me Holandën, Yildirim vuri në pah se anulimi të shtunën i lejes së fluturimit të ministrit të Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, është gabimi më i madh në diplomaci dhe, si të mos mjaftonte kjo, pengimi i ministres së Familjes dhe Politikave Sociale, Fatma Betul Sayan Kaya, për të hyrë në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Turqisë në Roterdam, e nxori situatën jashtë kontrollit.

Pasi rikujtoi vendimin e qeverisë së tij pas krizës me Holandën për anulimin e fluturimeve diplomatike, pezullimin e vizitave të nivelit të lartë dhe ndalimin e hyrjes në Turqi të ambasadorit holandez të akredituar në Ankara, Kryeministri Yildirim potencoi se ky proces do të ndiqet me vëmendje maksimale dhe reagimi do të vijë kur të piqen kushtet, terreni e koha.

I pyetur “Përse jemi duke e ngritur këtë çështje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECtHR) në Strasburg dhe jo në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) në Hagë?”, Binali Yildirim u përgjigj me këto fjalë: “I ngarkuari me punë dhe konsulli i përgjithshëm i Republikës së Turqisë u ndaluan nga policia holandeze për një kohë të caktuar, pastaj më thanë se kjo ishte bërë gabimisht dhe Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, më kërkoi të falur për këtë në telefon.”

Megjithatë – përfundoi shefi i Ankarasë zyrtare – çështja do të ndiqet nga shumë afër dhe do të ndërmerret çdo hap i nevojshëm.



Lajme të ngjashme