Turqia mund të vendosë sanksione ekonomike ndaj Holandës

Ministri i Doganave dhe Tregtisë, Bylent Tyfenkçi (Bülent Tüfenkçi) tha se në agjendën e saj qeveria në periudhën në vijim mund të përfshijë edhe vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Holandës.

Turqia mund të vendosë sanksione ekonomike ndaj Holandës

Bylent Tyfenkçi iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në qytetin e Vanit, ku kishte shkuar për të marrë pjesë në një mbledhje.

Në përgjigje të një pyetjeje mbi mundësinë e vendosjes së sanksioneve kundër Holandës, ministri Tyfenkçi tha: “Krahas sanksioneve juridike dhe politike në periudhën e ardhshme mund të vijnë në rend të ditës edhe sanksionet ekonomike. Për momentin do të zbatojmë vetëm sanksione politike dhe juridike”.

Të shtunën qeveria e Holandës nuk i kishte dhënë leje për t’u ulur avionit të ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu), kurse ministren e Familjes dhe Politikave Sociale Fatma Betyl Sajan Kaja (Fatma Betül Sayan Kaya) e kishte penguar të hynte në Konsullatën e Përgjithshme të Turqisë në Roterdam.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë vëllimi tregtar ndërmjet Holandës dhe Turqisë në vitin 2016 ka qenë 6 miliard e 604 milionë dollarë.

Eksportet turke në Holandë u realizuan në shifrën e 3 miliardë e 589 milionë dollarëve, ndërsa importet nga ky vend ishin në vlerën e 3 miliard dollarëve.

Në Turqi operojnë 2 mijë e 711 kompani me kapital holandez, ndërsa në Holandë ushtrojnë aktivitetin e tyre 23 mijë sipërmarrës turq. Xhiroja e kompanive turke në Holandë në vitin 2015 ka qenë mbi 9 miliardë dollarë.



Lajme të ngjashme