Albayrak: “Oreks i madh” i investitorëve të huaj në lidhje me Turqinë

Në SHBA për Konferencën Energjetike IHS CERAWeek 2017, ministri i Energjetikës dhe i Burimeve Natyrore të Turqisë, Berat Albayrak, vuri në pah “oreksin e madh” të investitorëve të huaj në lidhje me Turqinë...

Albayrak: “Oreks i madh” i investitorëve të huaj në lidhje me Turqinë

Ministri i Energjetikës dhe i Burimeve Natyrore të Turqisë, Berat Albayrak, deklaroi se vendi i tij do të bëjë këtë vit sondazhe të rëndësishme në Detin e Zi dhe në Mesdhe.

“Pas anijes tonë të parë për kërkime sizmike, ‘Barbaros Hayrettin’, në Detin e Zi dhe në Mesdhe do të realizojmë sondazhe dy dhe tredimensionale më aktive gjithashtu me anijen tonë të dytë për kërkime sizmike. Do të fillojmë menjëherë procesin e kërkimit në ujërat tona në këto dy dete”, theksoi ai.

I pranishëm në Konferencën Energjetike IHS CERAWeek 2017, që po mbahet në Houston-Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Berat Albayrak u prononcua në lidhje me aktivitetet e Turqisë për kërkimin e naftës dhe gazit natyror.

Turqia – tha ai – ka hyrë në një periudhë të re, gjatë të cilës do të realizojë ndryshime, investime dhe lëvizje të rëndësishme në fushën e energjisë.

Albayrak tërhoqi vëmendjen se rreth 60 për qind e rezervave të përgjithshme botërore të naftës dhe gazit natyror gjenden në rajonin dhe hapësirën gjeografike, ku pozicionohet edhe Turqia.

“E rrethuar në të katër anët e saj me burime të shumta energjetike dhe pasuri të jashtëzakonshme, Turqia, me përgjegjësinë e të qenit vendi më i qëndrueshëm dhe më i fuqishëm i rajonit, do të vazhdojë të punojë me vendosmëri dhe intensivisht për ardhmërinë e saj”, u shpreh ai.

Duke nënvizuar se gjatë viteve të fundit Turqia ka nisur të bëjë investime shumë të rëndësishme për depozitimin e gazit natyror dhe diversifikimin e burimeve energjetike, ministri siguroi se investimet do të vazhdojnë të jetësohen në shumë fusha.

Në kuadër të IHS CERAWeek 2017, një nga konferencat energjetike më të mëdha dhe më prestigjioze në botë, Berat Albayrak vuri në pah “oreksin e madh” të investitorëve të huaj në lidhje me Turqinë dhe konkludoi se kjo është shpresëdhënëse për të arritur objektivin për një “Turqi të Madhe” gjatë periudhës në vijim.



Lajme të ngjashme