Koment- Gazsjellësi ‘Rrjedha Turke’ dhe ndikimi në marrëdhëniet Turqi-Rusi

Së bashku me projektin e ‘Rrjedhës Turke’, Turqia i ka hapur vetes rrugën për projekte të reja që do të bëjnë bujë në tregun e energjisë globale.

Koment- Gazsjellësi ‘Rrjedha Turke’ dhe ndikimi në marrëdhëniet Turqi-Rusi

Projekti i linjës gazsjellëse ‘Rrjedha Turke’, që doli në pah pasi u anulua ‘Rrjedha Jugore’ që planifikohej të siguronte transferimin e gazit natyror rus nën Detin e Zi për në Evropë, për herë të parë ishte shprehur në vitin 2014 gjatë vizitës në muajin dhjetor në Turqi të Kryetarit të Shtetit të Rusisë Vladimir Putin. Për projektin në pritje për një kohë të gjatë për shkak të krizës së avionit të rrëzuar, në vitin 2016 të dyja vendet arritën marrëveshje mbi linjën e parë që do të përcjellë gazin natyror të Rusisë. Kurse për linjën e dytë që do të transferojë gazin natyror në vendet e Evropës nuk është arritur ende një marrëveshje.

Mbyllja e Linjës së Perëndimit në vitin 2019, që përcjell 14 miliardë metra kub gaz natyror në vit, i ka ofruar Turqisë një rast të mirë për transferuar gazin aktual rus nëpërmjet ‘Rrjedhës Turke’. Gazsjellësi i parë i projektit që përfshin ndërtimin e linjës Rusi-Turqi, në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet dy vendeve, parashikohet të fillojë në vitin 2018. Së bashku me këtë projekt synohet që Turqisë ti përcillet 15,75 miliardë metra kub gaz natyror dhe në rast të një marrëveshjeje po e njëjta sasi të eksportohet nga Turqia për në vendet e Evropës Juglindore. 

Projekti i ‘Rrjedhës Turke’ pritet të sigurojë avantazhe të rëndësishme për vendet e përfshira Rusia dhe Turqia si dhe vendet e Evropës.

E parë nga perspektiva e Evropës vihet re se kontinenti është ballë për ballë një gjendjeje të komplikuar. Vendet e Bashkimit Evropian ndërkohë që nga njëra anë kërkojnë të reduktojnë vartësinë e importit të gazit natyror nga Rusia nga ana tjetër bëjnë përpjekje për të alternuar burimin e energjisë e cila tregon një rritje të konsumit. Por dihet se investimet aktuale për burime alternative energjie afatshkurtra dhe afatmesme nuk mund të sigurojnë konsumin në rritje të gazit natyror.

Ashtu siç dihet Rusia transferimin e gazit natyror për në Evropë e realizon nëpërmjet një linje gazsjellëse pra ‘Linja e Perëndimit dhe Rrjedhja e Veriut’. Duke pasur parasysh se në vitin 2019 do të ndërpritet rrjedha e gazit natyror nga Linja e Perëndimit dhe duke qenë të vetëdijshëm për gjendjen aktuale, është e qartë nevoja që do të ketë Evropa për linjën gazsjellëse të ‘Rrjedhës Turke’.

Pavarësisht se janë rritur investimet për energjinë e rinovueshme dhe atë të gazit natyror të lëngshëm (LNG), që hap rrugën për eksportin e gazit natyror në vende të ndryshme, ashtu siç pasqyrohet edhe në projeksionet e agjencive ndërkombëtare të energjisë, konsumi i gazit natyror në Evropë është gjithnjë në rritje.

Nga ana tjetër vazhdon edhe ecuria e keqe në ekonominë e Rusisë, e cila përballet me embargot e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Qeveria e Rusisë për të mos humbur tregun e saj më të madh të tregtisë së gazit natyror kërkon që të arrijë edhe marrëveshjen për etapën e Evropës në projektin e ‘Rrjedhës Turke’. Në këtë aspekt mund të themi se projekti i ‘Rrjedhës Turke’, që ka një rëndësi kritike në tregun global të energjisë mund të ketë fuqinë për të ulur tensionin që vazhdon ndërmjet Rusisë dhe Evropës. Fuqia e energjisë për ti dhënë formë politikës së jashtme do të shihet edhe një herë me anë të këtij projekti.

Turqia, një nga përfitueset më të mëdha të ‘Rrjedhës Turke’ dëshiron të përdorë avantazhet e pozicionit gjeografik që zotëron. Ajo është një urë ndërmjet Lindjes që zotëron burimet e energjisë dhe vendeve të Perëndimit që janë kërkueset më të mëdha të energjisë për këtë arsye ofron një rast të rëndësishëm për të qenë një vend i sigurt dhe qendër e tregtisë së energjisë.

Turqia me projektin e ‘Rrjedhës Turke’ në tregtinë e energjisë cilësohet si një vend i sigurt dhe ka marrë në dorë një rast për të garantuar sigurinë edhe të vetë vetes dhe të ofertë-kërkesës së vendeve të tjera.

Në të kundërt të Ukrainës, Turqia zhvillon politika që të mos jetë vetëm një urë e transportit të gazit natyror por të jetë edhe një vend ku grumbullohet dhe që bën eksport të gazit natyror. Duke përdorë këtë avantazh Turqia është kthyer në qendrën e preferuar të shumë investitorëve të energjisë.

Si rrjedhojë, energjia që vazhdon të rrisë ndikimin në vendimet e politikës së jashtme, duket qartë se do ta bëjë Turqinë një fuqi të rëndësishme në rajonin e saj. Në këtë aspekt, së bashku me projektin e ‘Rrjedhës Turke’, Turqia i ka hapur vetes rrugën për projekte të reja që do të bëjnë bujë në tregun e energjisë globale.



Lajme të ngjashme