Koment – Bashkimi Evropian nuk mban premtimin për refugjatët

Një raport i vetë Komisionit Evropian zbuloi se BE-ja s’ka përmbushur përgjegjësitë e marrëveshjes së 18 marsit 2016. Në vend të premtimit për 72.000, nga Turqia në vendet e BE-së u sistemuan vetëm 3.565 refugjatë sirianë...

Koment – Bashkimi Evropian nuk mban premtimin për refugjatët

Bashkimi Evropian nuk ka përmbushur përgjegjësitë e marrëveshjes së arritur me Turqinë në lidhje me krizën e refugjatëve dhe kjo është konfirmuar nga një raport i hartuar nga vetë Unioni.

Komisioni Evropian publikoi raportin e pestë në lidhje me zbatimin e marrëveshjes Turqi-BE për refugjatët, nënshkruar më 18 mars 2016. Sipas raportit, falë akordit, i cili parashikon riatdhesimin e refugjatëve që mbërrijnë në Greqi përmes territoreve të Turqisë duke nisur nga 21 marsi i vitit të kaluar, kalimet e përditshme ilegale kanë rënë në mesatarisht 43 veta, nga rreth 3.000 që ishin më parë.

Në marrëveshje u regjistrua pranimi i gjithsej 72.000 refugjatëve nga vendet anëtare të BE-së, nga të cilët 18.000 menjëherë në një fazë të parë dhe 54.000 shtesë për të plotësuar nevojat e tjera të sistemimit, të cilat mund të paraqiteshin në të ardhmen e afërt. Po ashtu u theksua se do të aktivizohej Skema Vullnetare e Pranimit Humanitar (Voluntary Humanitarian Admission Scheme) kur kalimet e parregullta ndërmjet Turqisë dhe BE-së të jenë drejt fundit ose të paktën kur të jenë reduktuar në përmasa serioze dhe të qëndrueshme.

BE-ja pranoi vetëm 4,9 për qind të numrit të premtuar

Por, sipas raportit të fundit, në vend të premtimit për 72.000, nga Turqia në vendet e BE-së u sistemuan vetëm 3.565 refugjatë sirianë. Në bazë të marrëveshjes, numri i refugjatëve të kthyer në Turqi arriti në 1.487. Edhe pse kalimet e parregullta ditore u reduktuan “në përmasa serioze dhe të qëndrueshme”, ndryshe nga ç’ishte premtuar, nuk u aktivizua mekanizmi i quajtur Skema Vullnetare e Pranimit Humanitar, i cili parashikon që vendet anëtare të Unionit të marrin refugjatë nga Turqia mbi baza vullnetare.

Në raportin e Komisionit Evropian, ku zë vend fraza “të ruhet shpejtësia e marrjes së refugjatëve nga Turqia”, mes “hapave të ardhshme” Greqisë i kërkohet që të përshpejtojë dërgimin e refugjatëve në Turqi. Kjo gjë shpalosi prioritetin e vërtetë të Brukselit.

U dërguan vetëm 750 milionë euro, nga 3 miliardë të premtuara

Kontributi financiar për refugjatët është një tjetër çështje e premtuar nga BE-ja, por gjithashtu e parealizuar. Sipas nenit 6 të marrëveshjes, Bashkimi Evropian do të paguante 3 miliardë euro në funksion të nevojave të refugjatëve gjatë periudhës 2016-2017, si dhe 3 miliardë euro të tjera shtesë për vitin 2018.

Mirëpo, ndërkohë që theksohet se shuma “e premtuar/e përcaktuar” deri më 2 mars ishte 2,2 miliardë euro, në të vërtetë shuma e transferuar është 750 milionë euro. Nga këto, 411 milionë janë derdhur në llogaritë e organizatave të ndryshme humanitare.

Ndërsa shuma e transferuar në llogaritë e institucioneve turke është vetëm 339 milionë euro dhe s’rezulton as sa 2 për qind e shumës totale prej të paktën 25 miliardë dollarësh (23,7 miliardë euro), që Turqia ka shpenzuar për refugjatët në 6 vitet e fundit.

Përditësimi i Unionit Doganor

Sipas marrëveshjes Turqi-Bashkimi Evropian të 18 marsit 2016, “negociatat për azhurnimin e Unionit Doganor duhet të fillonin deri në fund të 2016-s”, por bisedimet zyrtare nuk kanë nisur ende sot e kësaj dite.

Edhe pse Komisioni Evropian i kërkoi Këshillit Evropian gjatë ditëve të fundit të vitit të kaluar autorizimin e nevojshëm për fillimin e negociatave, vendet anëtare të BE-së nuk e kanë miratuar akoma këtë gjë.

Brukseli s’ka mbaruar përgatitjet për kapitujt e rinj

Në negociatat për anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian, zyrtarët e Brukselit nuk kanë arritur dot të mbyllin përgatitjet teknike për Kapitullin 23. mbi “Gjyqësorin dhe të Drejtat Themelore”, si dhe për Kapitulli 24. mbi “Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë”.

Mungesë progresi në liberalizimin e vizave

Përsëri nuk është shënuar dot progres në nenin 5 të marrëveshjes së sipërcituar, i cili ka të bëjë me “liberalizimin e vizave deri në fund të qershorit 2016”. Sipas raportit, Ankaraja nuk ka plotësuar ende 7 nga gjithsej 72 kriteret e parashtruara nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave. Këto 7 kritere janë: “Nxjerrja e pasaportave biometrike sipas standardeve të BE-së, marrja e masave për të luftuar korrupsionin, nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit operacional me Europolin, përafrimi i legjislacionit dhe i praktikave antiterrorizëm me standardet evropiane, përshtatja e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale me standardet e BE-së, bashkëpunimi efektiv me të gjitha vendet e Unionit për çështjen e lidhura me krimin, si dhe implementimi i të gjitha neneve të Marrëveshjes së Ripranimit BE-Turqi.

Mirëpo, duke marrë parasysh situatën aktuale në Turqi, Ankaraja kërkon fleksibilitet në kriterin që parashikon ndryshime në legjislacionin antiterrorizëm. Edhe pse bisedimet ndërmjet Brukselit dhe Ankarasë vazhdojnë, palët nuk janë pajtuar ende mbi një draft të përbashkët.

Lufta kundër terrorizmit

Pavarësisht se në marrëveshje nënvizohet fraza “Turqia dhe Bashkimi Evropian konfirmojnë edhe një tjetër herë prioritetin e tyre për të luftuar terrorizmin në të gjitha format e tij”, Brukseli jo vetëm që nuk e mbështet Ankaranë në lidhje me këtë çështje, por edhe e kritikon shpeshherë për shkak të masave, që ajo merr në kuadër të luftës kundër organizatave terroriste PKK dhe FETO.

Raporti i pestë i Komisionit Evropian në lidhje zbatimin e marrëveshjes Turqi-BE për refugjatët, nënshkruar më 18 mars 2016, nuk përmban asnjë lloj vlerësimi për sa i takon çështjes në fjalë.

 

Burimi: AA

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme