Gjendet piloti i avionit luftarak sirian, që ra në Hatay të Turqisë

Piloti sirian, i cili ishte hedhur me katapultë vetëm pak çaste përpara rënies së avionit luftarak, është gjetur dhe është shtruar në spital për kurim...

684830
Gjendet piloti i avionit luftarak sirian, që ra në Hatay të Turqisë

Një avion luftarak i regjimit sirian është rrëzuar mbrëmjen e të shtunës, për arsye ende të papërcaktuara, në afërsi të qytezës kufitare turke, Samandag, në provincën Hatay.

Piloti sirian, i cili ishte hedhur me katapultë vetëm pak çaste përpara rënies së avionit luftarak, është gjetur dhe është shtruar në spital për kurim.

Kryeministri turk, Binali Yildirim, që iu përgjigj interesit të gazetarëve nga qyteti Nevsehir, konfirmoi se piloti është hedhur me parashutë menjëherë përpara se avioni, tip Mig 21, të përplasej me tokën.

Binali Yildirim njoftoi gjithashtu se në zonë janë dërguar urgjentisht ekipet e kërkim-shpëtimit.

Ndërsa Prefekti i Hatayit, Erdal Ata, në një prononcim për TRT-në, bëri me dije se një skuadër e Xhandarmërisë dhe ekipe mjekësore e të Agjencisë Turke të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) kanë mbërritur brenda një kohe të shkurtër në vendndodhjen e mbetjeve të avionit, i cili ka rënë 8 km në perëndim të qendrës së qytetit, duke konstatuar se kabina e pilotimit ishte e zbrazët.

Prefekti Ata theksoi se shkaku i rënies së avionit luftarak sirian s’ka të bëjë aspak me Turqinë apo me shkeljen e kufirit.

“Gjithashtu është shuar edhe zjarri i shkaktuar nga rënia e avionit”, shtoi ai.

Ndërkaq, piloti i avionit luftarak sirian është gjetur i rraskapitur rreth 500 m larg parashutës, pas një kërkimi të gjatë 9 orë.

Piloti sirian, emri i të cilit nuk është publikuar ende për arsye sigurie, është shoqëruar fillimisht në Komandën e Xhandarmërisë Altinozu, ku i është dhënë edhe ndihma e parë, kurse më pas është shtruar për kurim në Spitalin Shtetëror të Hatayit.

Autoritetet turke nënvizojnë se në avion kishte vetëm një pilot dhe se punimet e kërkim-shpëtimit kanë përfunduar.



Lajme të ngjashme