Isik: Al-Babi është rrethuar plotësisht, tani radhën e kanë Manbiji dhe Raqqah

Ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare, Fikri Isik, deklaroi të enjten se qyteti sirian i Al-Babit është rrethuar plotësisht...

Isik: Al-Babi është rrethuar plotësisht, tani radhën e kanë Manbiji dhe Raqqah

Ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare, Fikri Isik, deklaroi të enjten se qyteti sirian i Al-Babit është rrethuar plotësisht.

Në përgjigje të interesit të gazetarëve në kryeqytetin Bruksel të Belgjikës, ku ai po qëndron për Mbledhjen e Ministrave të Mbrojtjes së NATO-s, Fikri Isik tha se po vazhdon një punë intensive për spastrimin e elementëve terroristë nga qendra e Al-Babit dhe se kjo po realizohet në bashkëpunim me Ushtrinë e Lirë Siriane (FSA).

Pas spastrimit të plotë të terroristëve nga Al-Babi – vijoi ministri Isik – ne presim që jeta t’i kthehet normalitetit në këtë qytet, ndërkohë që dëshirojmë gjithashtu tërheqjen e tërë elementëve të organizatës terroriste e separatiste PKK/PYD nga Manbiji.

“Jemi duke bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë pikë. Deri tani nuk kemi arritur të nxjerrim rezultatin e dëshiruar. Prioritetet tona pas operacionit të Al-Babit janë dy: Manbiji dhe Raqqah. S’mund të pranojmë dhe as të miratojmë praninë e PKK-së në Manbij. Ne jemi plotësisht të vendosur për të realizuar këtë synim”, u shpreh ai.

Duke tërhequr vëmendjen se operacioni në Raqqah është mjaft i rëndësishëm për SHBA-në, ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare theksoi se parësore për Ankaranë është që ky operacion të mos ndërmerret me aktorë të gabuar.

Sipas tij, përdorimi i një organizate terroriste kundër një tjetër grupi terrorist do të shkaktonte fatkeqësi.

“Ne duam që operacioni të rezultojë i suksesshëm. Operacioni në Raqqah s’duhet të bëhet me YPG-në (krahu i armatosur i fraksionit sirian PYD të organizatës terroriste dhe separatiste PKK), por me elementë arabë. Me sa shoh unë, SHBA-ja nuk ka marrë një vendim përfundimtar në lidhje me këtë çështje. Ata nuk ngulin këmbë që këtë punë ta bëjnë patjetër me PYD-në”, shtoi ai.

Fikri Isik njoftoi gjithashtu se kreu i Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-së, Gjenerali Joseph Dunford, do të vizitojë Ankaranë ditën e premte.

“Unë nuk jam i mendimit që administrata Trump ka të njëjtin qëndrim me administratën Obama për FETO-n (organizata terroriste guleniste) dhe PYD-në. Qëndrimi i ardhshëm i Uashingtonit do të trajtësohet sipas ecurisë së bashkëpunimit në lidhje me këtë çështje”, përfundoi ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare.



Lajme të ngjashme