Erdoan: Bashkëpunimi Turqi-Katar i rëndësishëm për të ardhmen e rajonit

Në një reportazh për gazetën “Al-Arab" Presidenti Erdoan tha se Marrëdhëniet Turqi-Katar vijnë duke u zhvilluar gjithnjë e më shumë dhe një bashkëpunim i afërt ndërmjet dy vendeve është i rëndësishëm edhe për të ardhmen e rajonit.

Erdoan: Bashkëpunimi Turqi-Katar i rëndësishëm për të ardhmen e rajonit

Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha në Doha se marrëdhëniet midis vendit të tij dhe Katarit zhvillohen çdo ditë e më shumë dhe se mes dy vendeve ka besim reciprok, duke theksuar se "Bashkëpunimi kaq i afërt mes Turqisë dhe Katarit është i rëndësishëm edhe për të ardhmen e rajonit".

Gjatë vizitës së tij në Katar, si stacioni i tij i fundit në kuadër të vizitave të tij disa ditore në Gjirin Persik, Erdoan dha një reportazh për gazetën “Al-Arab", në të cilën ka folur për marrëdhëniet mes dy shteteve, qëndrimin e Perëndimit kundrejt tentativës për grusht shteti më 15 korrik të vitit të kaluar në Turqi, krizën siriane dhe të ardhmen e marrëdhënieve me Egjiptin.

"Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Katarit në vitet e fundit janë duke u zhvilluar me shpejtësi në të gjitha aspektet. Kemi marrëdhënie të forta që mbështeten në lidhje historike. Ne kemi besim tek njëri-tjetri dhe të dyja vendet kanë shfaqur vullnet të fortë politik për t'i ngritur marrëdhëniet në një nivel më të lartë", ka theksuar Erdoan, duke rikujtuar më tej vizitën e Emirit të Katarit Tamim bin Hamad al-Thani në Turqi në vitin 2014 dhe krijimin e Komitetit të Lartë Strategjik si një mekanizëm për bashkëpunim, të cilin Erdoan e ka cilësuar si një hap të rëndësishëm.

Sipas tij, që nga ajo ditë ka pasur ndryshime të rëndësishme.

Ndërkaq, duke folur për marrëveshjet e reja që janë realizuar pas themelimit të komitetit në fjalë, Erdoan ka vënë në pah se "Në dy takimet e para të mbajtura në Doha dhe Trabzon, ne kemi nënshkruar 30 marrëveshje. Këta janë hapa rëndësishëm", ka thënë Erdoan.

"Katari ka dëshmuar se është mik në ditë të vështira"

Duke theksuar se bashkëpunimi kaq i afërt mes Turqisë dhe Katarit është shumë i rëndësishëm për ardhmërinë e rajonit, Presidenti Erdoan ka shprehur besimin se edhe mbledhja e Komitetit që do të mbahet këtë vit në Doha do të prodhojë dobi për të dy shtetet.

"Nuk mund ta harrojnë solidarizimin dhe mbështetjen e Katarit gjatë dhe pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik. Katari ka dëshmuar se është mik në ditë të vështira", ka vazhduar më tej Erdoan.

"Turqia dhe Katari janë në anën e paqes në rajon

Ai gjithashtu ka shprehur mundësinë e një bashkëpunimi mes dy vendeve në sektorin ushtarak, në të cilën ata kanë hedhur disa hapa.

Duke nënvizuar se Turqia dhe Katari janë në anën e paqes në rajon, Erdoan ka thënë: "Ne duam t'i jepet fund terrorizmit dhe të gjitha formave të kërcënimeve të sigurisë. Të dyja vendet janë duke bërë përpjekje me të gjitha forcat atë që u takon. U bëj thirrje vendeve të tjera të rajonit, të zhvillojmë këtë bashkëpunim si shtete vëllazërore dhe së bashku të luftojmë terrorizmin dhe kërcënimet e sigurisë", ka theksuar Presidenti Erdoan.

"Perëndimi nuk e ka kaluar provimin në rastin e tentativës për grusht shteti në Turqi"

Në lidhje me qëndrimin e vendeve perëndimore kundrejt tentativës për grusht shteti në Turqi më 15 korrik të vitit të kaluar nga Organizata Terroriste FETO, Erdoan ka thënë se "Perëndimi, për fat të keq, nuk e ka kaluar provimin në rastin tentativës për grusht shteti në Turqi".

Erdoan e vijoi me kështu reportazhin: "Ne ishim në anën e demokracisë. Njerëzit tanë mbrojtën demokracinë dhe lirinë e tyre. Ata që u ekzekutuan, ata që u shkelën nga tanket, që u sulmuan nga avionë dhe helikopterë, ishin civilë. Perëndimi këtë nuk e pa, nuk deshi ta shohë".

Kriza në Siri

I pyetur në lidhje me krizën në Siri, Erdoan tha se Rusia që nga shtatori i vitit 2015 ka prani ushtarake në Siri dhe se Irani ka ndikim ndaj milicëve shiitë të mbështetur edhe nga regjimi. Sipas tij, Turqia ndan një kufi të gjatë me këtë vend (Sirinë) dhe ka pranuar tre milionë refugjatë sirianë.

"Meqenëse në Siri parashihet zgjidhje shumëpalëshe, këto vende kanë një rol të rëndësishëm. Paqja është kyçe për sirianët dhe interesat e të tre vendeve. Armëpushimi në Halep dhe negociatat në Astana janë padyshim hapa të rëndësishëm. Në fund të tunelit është parë një dritë. Pa u shuar kjo dritë, ne duhet ta shtojmë atë, të dalim nga tuneli dhe kaosi", ka thënë Erdoan, duke shtuar se të rëndësishme në këtë drejtim, janë edhe negociatat e ardhshme në Gjenevë.

Marrëdhëniet Egjipt-Turqi

Duke folur në lidhje me krizën në Egjipt dhe marrëdhëniet mes dy shteteve, Erdoan e ka cilësuar Egjiptin si një nga shtetet më me ndikim në rajon.

"Egjipti është në krye të shteteve me ndikimin më të madh në rajon. Lidhjet tona historike me Egjiptin janë të forta dhe të thella. Populli i Egjiptit është mik i vjetër i yni. Ne nuk kemi dhe as që mund të kemi problem me vëllezërit tanë të Egjiptit. Megjithatë, sa i përket marrëdhënieve (diplomatike) me qeverinë e Egjiptit, ato janë në nivelin e “të ngarkuarit me punë”, ka theksuar Erdoan.

Ai ka shtuar se Turqia dhe Egjipti kanë marrëdhënie në përmasa globale, tregtare dhe ekonomike dhe se reflektimi i këtyre marrëdhënieve në politikë varet nga procesi në vijim, duke shprehur besimin për krijimin e një atmosfere më të shëndoshë, jo vetëm për paqen shoqërore në Egjipt, por edhe për marrëdhëniet e jashtme të këtij vendi.



Lajme të ngjashme