Erdoan: Sot El Babi është i rrethuar nga të katërta anët, Daesh-i do të largohet

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha se El Babi është rrethuar nga të katërta anët.

Erdoan: Sot El Babi është i rrethuar nga të katërta anët, Daesh-i do të largohet

Presidenti Erdoan përpara se të nisej për në turneun në vendet e Gjirit Persik, saktësisht në Bahrejn, Arabinë Saudite dhe Katar, në Aeroportin Ataturk, bëri vlerësime në lidhje me rendin e ditës.

Ai u shpreh se në kuadër të operacionit Mburoja e Eufratit, El Babi është rrethuar nga të katërta anët dhe shtoi: “Sot El Babi, si nga ana jonë ashtu edhe nga ana e Ushtrisë së Lirë Siriane është rrethuar nga të katërta anët. Sigurisht që pjesët më të rëndësishme të qytetit u morën pak ditë më parë dhe forcat tona të sigurisë kanë hyrë në qendër të qytetit. Pas hyrjes në qendër të qytetit, DEASH-i ka hyrë në procesin e largimit. Mendoj që është çështje momenti për marrjen nën kontroll".

Ai theksoi se synimi kryesor për Sirinë është siguria, dhe shtoi: "Synimi ynë në këtë mes është një hapësirë prej 4-5 mijë kilometrash katrorë si zonë sigurie. Normalisht që me këtë kemi në objektivë që të krijojmë një zonë të sigurt për refugjatët që arratisen nga vendet e konfliktit, si dhe të krijojmë mundësi për rikthimin në vendin e tyre të sirianëve në tokën e tyre. Për ta bërë këtë duhet që të ndërtojmë infrastrukturë, madje edhe qytete të reja. Këtë mendim unë e ndava edhe me të nderuarin Trump. E ndava edhe me forcat ndërkombëtare të koalicionit me në krye Gjermaninë".

Sipas lajmit të marrë nga burimet e Presidencës së Turqisë, Presidenti Erdoan do të shkojë në Bahrejn, ku do të takohet me mbretin Hamad bin Isa Al Halife dhe do të presë në takim zyrtarë të tjerë të lartë të këtij vendi.

Në kuadër të vizitës është planifikuar edhe nënshkrimi i disa marrëveshjeve bilaterale për bashkëpunimin mes Turqisë dhe Bahrejnit.

Më pas Presidenti Erdoan në datën 13 shkurt do të kalojë në Arabinë Saudite, ku do të takohet me mbretin Salman bin Abdulaziz dhe do të presë princin trashëgimtar Muhammed bin Naif dhe zëvendësi Muhammed bin Selman si dhe zyrtarë të tjerë të këtij vendi.

Pas Arabisë Saudite Erdoan e vijon turneun me vizitën në Katar, ku do të takohet me emirin Temim bin Hamad Al-Thani.

Sipas lajmit të marrë nga burimet e Presidencës së Turqisë njoftohet se vizita e Erdoanit në vendet e Gjirit përgjithësisht do të kontribuojë për thellimin e bashkëpunimit me vendet e lartpërmendura të Gjirit Persik.



Lajme të ngjashme