Koment - Raundi i dytë i bisedimeve të Astanës për Sirinë dhe qëndrimi i ShBA-së dhe BE-së

Vlerësim i Prof. Dr. Mustafa Sıtkı Bilgin rreth Negociatave të zhvilluara për Sirinë në 6 shkurt në kryeqytetin Astana të Kazakistanit me 3 vendet garantuese, Turqinë, Rusinë dhe Iranin si dhe qëndrimi i Amerikës dhe BE-së në lidhje me këto zhvillime

Koment - Raundi i dytë i bisedimeve të Astanës për Sirinë dhe qëndrimi i ShBA-së dhe BE-së

Negociatat e dyta të Astanës të planifikuara për ti dhënë fund luftës civile që vazhdon prej 6 vjetësh në Siri u zhvilluan në datën 6 shkurt. Në negociata krahas delegacioneve të Turqisë, Rusisë dhe Iranit morën pjesë edhe përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara. Në mbledhjen e parë të Astanas, të zhvilluar në datën 23 janar, u morën vendime për krijimin e një mekanizmi tresh ndërmjet Turqisë, Rusisë dhe Iranit për monitorimin dhe kontrollin e armëpushimit, fillimin e negociatave në kuadër të vendimit me numër 2254 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si dhe për të zhvilluar punime për të lehtësuar këtë proces.

Por pas negociatave të zhvilluara, vazhdimi i disa shkeljeve të armëpushimit në Siri dhe reagimi negativ i opozitës siriane kundër projektrezolutës së kushtetutës prej 85 nenesh të përgatitur nga Rusia, ishte marrë vendimi për zhvillimin e mbledhjes së dytë në Kazakistan.

Kurse negociatat e zhvilluara në takimin e dytë në datën 6 shkurt, kishin pak ndryshim si nga aspekti i pjesëmarrjes edhe nga aspekti i përmbajtjes. Negociatat e dyta kishin të bënin më shumë me detajet teknike dhe u ndalua mbi përforcimin e mekanizmit të kontrollimit treshë për pengimin e shkeljeve të armëpushimit.

Qëllimi i negociatave u përcaktua të jetë krijimi i infrastrukturës së mbledhjes së Gjenevës që do të zhvillohet në fund të muajit shkurt. U vu re se në mbledhjen e zhvilluar në 6 shkurt niveli pjesëmarrës ishte më i lartë dhe si shtesë në këto bisedime morën pjesë edhe delegacionet ushtarake.

Në deklaratën e bërë në fund të mbledhjes u bë e ditur se është përcaktuar mekanizmi i përbashkët për të monitoruar dhe zbatuar armëpushimin në Siri. Gjithashtu në mbledhje u biseduan edhe tema të tilla si krijimi i delegacioneve, që do të marrin pjesë në negociatat politike që do të zhvillohen në Gjenevë, nga ana e regjimit dhe opozitarëve si dhe përfundimi i përgatitjeve të kushtetutës.

Kur vlerësohen rezultatet e arritura në të dyja mbledhjet e zhvilluara në Astana mund të thuhet se në përgjithësi ishin të suksesshme. Sepse falë këtyre zhvillimeve sot është arritur në një masë të gjerë armëpushimi që është çështja thelbësore në Siri.

Por dhënia fund në një kohë të shkurt të problemeve politike dhe ushtarake, që janë bërë shkak për luftën civile që prej 6 vjetëve në Siri, nuk duket si një punë  lehtë. Por nuk ka asnjë shkak të madh për të mos pasur shpresë. Mjafton që të vazhdojë me insistim iniciativa rajonale dhe kërkesa e vënë në shesh për zgjidhje. Faktikisht kjo është edhe arsyeja kryesore e vazhdimit të problemit në Siri prej 6 vjetësh. Sepse Siria është kthyer në arenën e luftës për sovranitet si ndërmjet fuqive të mëdha ashtu edhe atyre rajonale dhe për këtë arsye kanë filluar të dëmtohen edhe vendet e rajonit. Vazhdimi i luftës nuk është parë ti sjellë gjë tjetër rajonit përveç terror, shqetësime ekonomike, probleme të sigurisë dhe emigrantë si dhe destabilitetit. Vendet e rajonit, përfshi edhe Rusia, pak ose shumë, në një mënyrë ose një tjetër kanë pësuar dëmtime nga kjo gjendje dhe është fakt që fatura e kësaj krize rritet dita ditës.

Përsa i përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ky vend është ballë për ballë me një president të ri konfuz. Më parë, presidenti Trump që shprehej se nuk do të shpenzonte kohë më shumë me Lindjen e Mesme, pas negociatave në Astana filloi të tregojë me shpejtësi interes për çështjen e Sirisë dhe filloi të flasë për plane amerikane për “krijimin e Zonës së Sigurt” dhe një luftë të fuqishme kundër DAESH-it. Por nga ana tjetër nuk ka mbetur pas mbështetjes me armë dhe municione ndaj PYD-YPG-së që aleati i tij, Turqia e pranon si organizatë terroriste. Krahas kësaj, është ende e paqartë se si, ku dhe me çfarë qëllimi do të ngrihen zonat e sigurisë për të cilat bëhet fjalë.

Përsa i përket qëndrimit të mbajtur nga Përfaqësueseja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini ndaj mbledhjeve të Astanës, ajo u shpreh se e pritën me kënaqësi sigurimin e armëpushimit në Siri dhe se do të dërgonin përfaqësues në këto mbledhje. Gjithashtu ajo bëri të ditur se Bashkimi Evropian do të zhvillojë dy mbledhje me në qendër Sirinë. Por pavarësisht se nga Bashkimi Evropian u bënë deklarata të tilla diplomatike, nuk ka treguar asnjë qëndrim aktiv si në lidhje me mbledhjet e Astanës ashtu edhe në lidhje me mbledhjet që do të zhvilloheshin për Sirinë. Si rrjedhojë mund të themi se Bashkimi Evropian tani për tani ndjek politikën shi dhe vepro. Deklaratat e bëra nga Ministri i Jashtëm i Gjermanisë në lidhje me çështjen e Sirisë në të vërtetë tregojnë arsyen e qëndrimit pasiv të Bashkimit Evropian në këtë çështje. Pasi në deklaratën e ministrit të jashtëm gjerman, duke iu referuar nevojës së Bashkimit Evropian për të marrë pjesë në negociatat e zgjidhjes së çështjes, bëri të ditur se zgjidhja politike mund të bëhej vetëm në Gjenevë dhe negociatat e Astanës i cilësoi si një “hap i ndërmjetëm”.  

Negociatat e Astanës, si nga aspekti i sigurimit të paqes së qëndrueshme ashtu edhe për arritjen e zgjidhjes politike në Gjenevë, janë shumë të rëndësishme. Sepse për fillimin e negociatave politike ndërmjet palëve të Sirisë, ajo që ishte më e rëndësishme, ishte sigurimi i armëpushimit. Kështu që me mbledhjet e Astanas është përgatitur edhe infrastruktura e negociatave politike të Gjenevës që planifikohen të zhvillohen në fund të muajit shkurt.

Astana gjithashtu tregoi se mund të jetë një qendër e zgjidhjes së krizave ndërkombëtare dhe në lidhje me temat e zhvillimit të negociatave të paqes mund të jetë një alternativë kundrejt Gjenevës. Ky është një sukses i madh politik dhe diplomatik i Astanës, kryeqyteti i një shteti mysliman të Azisë dhe turk. Mos shpërdorimi në Gjenevë i farave të paqes së mbjella në Astana, përbën një rëndësi të madhe për të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.  

Nga Prof. Dr. Mustafa Sıtkı Bilgin



Lajme të ngjashme