Ankara - Shefi i CIA-s u takua me Kryeministrin Jëlldërëm

Burime të Kryeministrisë njoftojnë se drejtori i ri i CIA-s, Mike Pompeo sot në mëngjes është pritur në takim nga Kryeministri Binali Jëlldërëm.

Ankara - Shefi i CIA-s u takua me Kryeministrin Jëlldërëm

I ndodhur në kryeqytetin e Turqisë, Ankara për një vizitë zyrtare, shefi i ri i Agjencisë Qendrore të Zbulimit Amerikan (CIA), Majk Pompeo (Mike Pompeo) është takuar me Kryeministrin Binali Jëlldërëm (Binali Yıldırım).

Burime të Kryeministrisë njoftojnë se Pompeut i janë sqaruar edhe një herë pritjet e Ankarasë nga administrata e re amerikane në lidhje me luftën kundër organizatës terroriste gyleniste (FETO). Një çështje tjetër në tavolinë ishte edhe bashkëpunim në fushën e inteligjencës, sipas të njëjtit burim.

I ulur 17 ditë më parë në kolltukun e drejtorit të CIA-s, Pompeo në kryeqytetin e Turqisë, Ankara erdhi me ftesë zyrtare të Shefit të Shërbimit Informativ Kombëtar të Turqisë (MIT), Hakan Fidan. 

Pikat kryesore të agjendës së takimeve të Pompeut me autoritet turke ishin Siria dhe antiterrorizmi. 

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) shefin e CIA-s e priti në takim bashkë me kreun e inteligjencës turke, Hakan Fidan. 

Ankaraja ia komunikoi edhe një herë në takimin ballë për ballë pritjet e saj nga administrata e re të Shteteve të Bashkuara.

U përsëritën edhe një herë kërkesat për ekstradimin e kreut të organizatës terroriste gyleniste (FETO), Fetullah Gylen dhe ndërprerja e ndihmave me armatim që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin PYD-së, zgjatimi i organizatës separatiste terroriste PKK në Siri.  

Në takim u bisedua edhe për zhvillimet në Siri.

Erdoan dhe Tramp në bisedën telefonike që patën këtë javë vendosën  për të vepruar së bashku në operacionet e al Báb-it dhe Rakkës (në Siri). 

Për këto operacione u fol edhe gjatë kontakteve të Pompeos.

Pas përfundimit të kontakteve në Turqi shefi i CIA-s do të vizitojë edhe vende të tjera të rajonit. Por për arsye sigurie nuk janë bërë publikë stacionet e radhës së turneut të tij.



Lajme të ngjashme