Çavushollu: Pas al-Babit e ka radhën Raka

Në përgjigje të interesit të gazetarëve pas mbledhjes së Këshillit Koordinues Turko-Saudit ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushollu tha Raka është objektivi i radhës pas operacionit të al-Babit në Siri.

Çavushollu: Pas al-Babit e ka radhën Raka

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) tha se Raka është objektivi i radhës pas operacionit të al-Babit në Siri.

Deklaratat në lidhje me operacionin që planifikohet të bëhet në Raka, e cila është bastioni i organizatës terroriste DAESH në Siri, Çavushollu i bëri pas mbledhjes së Këshillit Koordinues Turko-Saudit.

“Si vende rajonale dhe vende që bëjmë pjesë në koalicion (ndërkombëtar të krijuar kundër DAESH) ne mund dhe duhet të angazhojmë forcat tona speciale në këtë operacion”, tha ministri i jashtëm turk.

Në përgjigje të pyetjes së një gazetari mbi bisedën telefonike që Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) bëri me presidentin e ri amerikan, Danëlld Tramp (Donald Trump), Çavushollu tha se Erdoan dhe Tramp kishin realizuar një bisedë telefonike shumë të dobishme.

Në këtë bisedë telefonike u shpreh vullneti i përbashkët për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe dhe për t’u dhënë atyre një shtysë të re, sqaroi Çavushollu. Të dy liderët patën rastin që krahas marrëdhënieve dypalëshe të vlerësojnë edhe çështjet rajonale dhe në veçanti luftën kundër terrorizmit. Një nga çështjet e trajtuara ishte edhe përpjekja me organizatën terroriste DAESH, shtoi shefi i diplomacisë turke.

“Përveç qëndrimit të përbashkët në Siri, Irak dhe në çështjet e tjera, objektivi i përbashkët për të dyja vendet është edhe lufta kundër organizatës terroriste DAESH. Presidenti ynë gjatë bisedës telefonike ia sqaroi hapur dhe qartë Zotit Tramp ndikimin e deritanishëm të Turqisë, çfarë ka bërë konkretisht ajo në luftën kundër DAESH-it”, - tha Çavushollu.



Lajme të ngjashme