Jëlldërëm-Merkel: Pastrimi i rajonit nga organizatat terroriste, përgjegjësi e përbashkët

Terrorizmi nuk është një çështje që i përket vetëm Turqisë dhe Gjermanisë, kështu që pastrimi i të gjithë organizatave terroriste, kryesisht DEASH-it nga rajoni është përgjegjësia jonë e përbashkët, tha Jëlldërëm në takimin me Merkel në Ankara.

Jëlldërëm-Merkel: Pastrimi i rajonit nga organizatat terroriste, përgjegjësi e përbashkët

Kryeministri i Turqisë, Binali Jëlldërëm (Binali Yıldırım) të enjten u takua me kancelaren gjermane, Angela Merkel, e cila ndodhej në Ankara për një vizitë pune njëditore.  

Në konferencën e përbashkët për shtyp mbajtur pas takimit të realizuar në Pallatin Çankaya, Kryeministri Jëlldërëm tha se me kancelaren gjermane kishte biseduar për marrëdhëniet dypalëshe, duke u fokusuar në çështjet e sigurisë dhe ekonomisë.

Për të luftuar me të gjitha organizatat terroriste, me në krye Organizatën Terroriste Fetullahiste Struktura Paralele në Shtet (FETO/PDY) kemi nevojë për mbështetjen e Gjermanisë”, u shpreh Jëlldërëm dhe vijoi: "Terrorizmi nuk është një çështje që i përket vetëm Turqisë dhe Gjermanisë. Është murtaja e botës së sotme. Është në përgjegjësinë tonë të përbashkët që të pastrojmë rajonin nga të gjitha organizatat terroriste, kryesisht nga DAESH-i”.

Kurse kancelarja e Gjermanisë, Merkel, tha se gjatë vizitës që kishte bërë në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë kishte parë nga afër shkatërrimin e shkaktuar nga FETO.

“E dimë që Turqia mban një barrë të rëndë”, u shpreh Merkel dhe tha se PKK-ja në Gjermani pranohet si organizatë terroriste.

“Bashkëpunimi ynë në luftën kundër terrorizmit do të vazhdojë. Ne jemi bashkë me Turqinë dhe e mbështesim atë”, - theksoi Merkel.

Kryeministri Binali Jëlldërëm shtroi një darkë për nder të Merkelit. Në këtë darkë morën pjesë delegacionet e të dyja vendeve.



Lajme të ngjashme