Londër – Duncan: I bindur se FETO ka përgjegjësi në tentativën për grusht shteti

Ministri britanik i Shtetit për Evropën dhe Amerikën, Alan Duncan, shprehu të martën bindjen e tij se organizata terroriste guleniste (FETO) ka përgjegjësi në tentativën për grusht shteti të 15 korrikut 2016...

Londër – Duncan: I bindur se FETO ka përgjegjësi në tentativën për grusht shteti

Ministri britanik i Shtetit për Evropën dhe Amerikën, Alan Duncan, shprehu të martën bindjen e tij se organizata terroriste guleniste (FETO) ka përgjegjësi në tentativën për grusht shteti të 15 korrikut 2016.

I pari ministër perëndimor që vizitoi Turqinë menjëherë pas tentativës puçiste të 15 korrikut, Alan Duncan iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit britanik në kuadër të raportit, në prag publikimi, hartuar nga ky komision mbi marrëdhëniet e Mbretërisë së Bashkuar me Turqinë.

Ndërkohë që shumë vende tundnin gishtin – theksoi Duncan – Anglia përpiqej të kuptonte se çfarë kishte ndodhur në Turqi më datë 15 korrik.

Ai vuri në pah se Turqia ka jetuar historikisht me rrezikun për grusht shteti dhe se nuk e ka kapërcyer ende traumën pas tentativës puçiste të 15 korrikut, megjithatë ajo po ballafaqohet dhe lufton me kërcënimet e organizatave terroriste PKK e DAESH.

“Përmasat e tentativës për grusht shteti janë shkatërruese. Jemi të detyruar të kuptojmë se çfarë ka përjetuar Turqia. Sidomos vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk i kanë perceptuar dhe kuptuar drejt ato çfarë Turqia ka përjetuar e po vazhdon të përjetojë”, deklaroi ministri britanik i Shtetit për Evropën dhe Amerikën.

I pyetur nga deputeti Mike Gapes, anëtar i Partisë Laburiste në Komitetin e Punëve të Jashtme, nëse besonte që organizata guleniste (FETO) ka gisht në tentativën për grusht shteti të 15 korrikut, Alan Duncan u përgjigj me këto fjalë: “Po. Jam i bindur që organizata guleniste ka përgjegjësi në tentativën për grusht shteti të 15 korrikut 2016. Kjo organizatë, e infiltruar dhe rrënjosur brenda shtetit, më 15 korrik tentoi që të përmbysë strukturën demokratike në Turqi.”

Rreth 2 javë më parë, anëtarët e Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar vizituan Turqinë dhe realizuan kontakte me autoritetet zyrtare.

Të kryesuar nga deputeti Crispin Blunt i Partisë Konservatore në pushtet, anëtarët e Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit britanik u pritën në takim nga Presidenti Recep Tayyip Erdogan, Kryeministri Binali Yildirim dhe ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu.

Raporti për Turqinë i komisionit në fjalë, i cili ka gjithsej 11 anëtarë të zgjedhur nga radhët e deputetëve, pritet që të publikohet në fillim të pranverës.

Punimet për hartimin e këtij dokumenti, që trajton raportet Mbretëri e Bashkuar-Turqi dhe këshillon qeverinë britanike për marrëdhëniet e saj me Ankaranë zyrtare, kishin nisur në korrik të vitit të kaluar.



Lajme të ngjashme