Nabi Avci, i pari ministër turk që do të vizitojë Izraelin pas krizës së 2010-s

Ministri i Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Nabi Avci, do të vizitojë Izraelin më 7 dhe 8 shkurt, në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve turko-izraelite...

Nabi Avci, i pari ministër turk që do të vizitojë Izraelin pas krizës së 2010-s

Ministri i Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Nabi Avci, do të vizitojë Izraelin më 7 dhe 8 shkurt, në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve turko-izraelite.

Nabi Avci do të jetë ministri i parë turk që viziton Izraelin pas sulmit të vitit 2010 ndaj anijes “Mavi Marmara”.

Agjenda e vizitës zyrtare të ministrit Avci në Izrael parashikon pjesëmarrjen e tij në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit Mesdhetar, i cili do të organizohet në Tel-Aviv, si dhe një takim me ministrin izraelit të Turizmit, Yariv Levin.

Avci gjithashtu do të ketë një takim me përfaqësues të sektorit turk dhe atij izraelit të turizmit, si dhe do të marrë pjesë në çeljen e ekspozitës fotografike me temë “Marrëdhëniet Turqi-Izrael”, organizuar nga Qendra Kulturore e Tel-Avivit dhe Agjencia e lajmeve Anadolli (AA).

Më pas, ministri turk i Kulturës dhe Turizmit do të shkojë në Ramallah, ku do të vizitojë muzeun dhe varrin e Yasser Arafatit. Para se të largohet nga Ramallahu për në Jerusalem, ku do të vizitojë Xhaminë al-Aksa dhe do të jetë i pranishëm në çeljen e ekspozitës fotografike me temë “Jerusalemi i Vjetër”, Nabi Avci do të takohet edhe me ministrin e Kulturës së Palestinës, Ihab Besisu.

Vrasja e 9 qytetarëve turq më datë 31 maj 2010, në bastisjen e anijes “Mavi Marmara” me ndihma humanitare për Gazën, si dhe vdekja më pas e një tjetri të plagosur në të njëjtin sulm, kishte shkaktuar krizë në marrëdhëniet turko-izraelite. Procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve filloi vitin e kaluar pasi Izraeli kërkoi të falur nga Turqia, dërgoi dëmshpërblimin për familjet e viktimave dhe hapi rrugën e ndihmave humanitare për Gazën. Së fundmi, të dyja palët emëruan reciprokisht edhe ambasadorët e tyre në Ankara e Tel-Aviv.



Lajme të ngjashme